Nishani dekoron Ministrin e Emirateve me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Në një ceremoni të veçantë ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi kontributin e Sheikut Abdullah bin Zayed Al Nahyan me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Për merita të veçanta në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se kjo ceremoni është para së gjithash, një çertifikim i lidhjeve të forta ndërmjet dy vendeve tona.“Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë mbështetës të spikatur të çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare duke dërguar trupa paqeruajtëse në Kosovë dhe ndihma për refugjatët kosovarë në qytetin e Kukësit. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Emiratet e Bashkuara Arabe ishin vendi i parë i Gjirit Persik, të cilët e njohën Republikën e Kosovës si shtet i pavarur, vendim që u pasua edhe nga njohje të tjera nga vendet e Gjirit. Në të gjitha këto arritje të marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve tanë, në forcimin e miqësisë mes tyre, prania dhe kontributi juaj janë të prekshme dhe evidente”tha Nishani.
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan duke falenderuar Presidentin Nishani u shpreh se ky është një privilegj, një kënaqësi e veçantë dhe një nder i jashtëzakonshëm që i bëhet.“Kjo medalje nuk më adresohet vetëm mua si person, por Shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe në tërësi. Ju siguroj, zoti President se Emiratet e Bashkuara Arabe do të angazhohen maksimalisht dhe me rigorozitetin më të plotë për konsolidimin, zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes vendeve tona mike. Ky vlerësim do të më bëjë akoma më të lidhur me vendin tuaj duke dashur të shikoj më me seriozitet mundësitë dhe potencialet e mundshme që mund t’i ofroj Republikës së Shqipërisë” – theksoi Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan.Gjatë vizitës në Shqipëri Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheiku Abdullah bin Zayed al Nahyan, u prit në një takim edhe nga kryeministri Edi Rama.Në takim u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe u shpreh vullneti i dyanshëm për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve në fusha me interes për të dy vendet.
Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria, krahas potencialeve të mëdha në shumë fusha zhvillimi si në infrastrukturë, energji, turizëm, agrikulturë dhe manifakturë, paraqet edhe avantazhe konkurruese sa i përket kuadrit fiskal, ashtu edhe forcës së punës.Ministri Abdullah Bin Zayed Al Nahyan nënvizoi se vendi i tij e sheh me interes shtrirjen e investimeve në rajonin tonë dhe se Shqipëria, për ta paraqet mundësi të mëdha.