Bilanci i Gjykatës Administrative, Cefa: Sfidë, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve

Në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u zhvillua sot, analiza e punës për të gjitha Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit Administrativ që prej funksionimit të tyre në datën 4 nëntor.Në praninë e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, dhe të anëtarëve Flamur Kapllani, dhe Ilir Mustafaj, Kryetarët e këtyre Gjykatave raportuan mbi ecurinë e punës, numrin e çështjeve të gjykuara dhe problematikat që kanë shoqëruar këto Gjykata.Në fjalën e tij, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, u shpreh se një gjykatë administrative efikase, do të thotë shpejtësi, por edhe transparencë në vendimmarrje dhe kjo padyshim që do të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.Në këtë kontekst, Çefa theksoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si kurdoherë do të kërkojë në vazhdimësi nga trupa gjyqësore administrative, që të jetë model në zbatimin e ligjit. Duke u ndalur te problematikat që kanë dalë gjatë ushtrimit të veprimtarisë të Gjykatave Administrative, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Çefa tha:"Problem dhe sfidë e radhës mbetet nevoja për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve administrative në këto gjykata, pa të cilat puna e gjyqtarit të vetëm do të ishte joeficente. Fjalën e kam për plotësimin e këshilltarëve ligjorë të gjyqtarëve, përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së punës, futjen e teknologjisë në shortimin e çështjeve dhe regjistrimin e seancave. Këto janë detyra që nuk i përkasin KLD në fakt, por ne do të jemi vazhdimisht në kërkim të përmbushjes së këtyre standardeve".Në këtë linjë, Çefa u shpreh se: "KLD nuk do të bëjë kompromis me askënd, në kurriz të së drejtës së publikut për të marrë drejtësi të shpejtë dhe cilësore. Këshilli do të jetë monitorues i kujdesshëm, por edhe penalizues i ashpër në të gjitha rastet, kur do të identifikohet veprimtari joligjore".