Meta në Kamëz: Arsimi larg standarteve, Bujqësia ka nevojë për reforma
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vizitoi sot Universitetin Bujqësor të Tiranës, prej nga ku uroi të gjithë mësuesit dhe pedagogët me rastin e festës së 7 marsit.Në fjalën përshëndetëse të mbajtur para një auditori me pedagogë dhe studentë të këtij universiteti, Meta e cilësoi festën e mësuesve si një ditë që na kujton mirënjohjen, respektin dhe dashurinë për ata njerëz që na kanë dhënë dije dhe na kanë mësuar se dija është arma jonë e parë dhe më e rëndësishme për të përballuar të ardhmen.“Duke uruar festën e 7 marsit për të gjithë ata arsimtare, profesorë e pedagogë, duke i uruar për këtë ditë të mbarë për të gjithë ata, njëkohësisht dua të shpreh bindjen se gjithë ne dhe shoqëria jonë ka një borxh të pashlyeshëm, një borxh mirënjohjeje që trashëgohet brez pas brezi dhe sado që ne të tregojmë mirënjohjen dhe përkushtimin tonë ndaj mësuesve e pedagogëve tanë, përsëri do të mbetemi përjetë në borxh ndaj tyre”, theksoi Kryetari i Kuvendit.Në fjalën e tij mes të tjerash z. Meta theksoi se Shqipëria e sotme nuk është vendi i mundësive ideale, pasi ka ende shumë mungesa, varfëri, privacione, vështirësi dhe distancë reale nga të qenit një vend normal për mundësitë që ofrohen për arsimim, për kulturë, për punësim, për një jetë të denjë si ajo e bashkëmoshatarëve tuaj në Evropë. Sipas tij, jemi ende larg atij modeli që gjeografikisht e kemi pranë.“Por sidoqoftë të gjithë bashkë kemi entuziazmin dhe energjitë e nevojshme për ta realizuar atë model këtu në Shqipëri. Por të pranosh realitetin, ta shohësh atë me sy qortues është hapi i parë i domosdoshëm në rrugën për ta përmirësuar dhe ndryshuar”, shtoi Kryetari i Kuvendit.Ndërkaq, Meta u shpreh se bujqësia ka nevojë urgjente për reforma të mençura dhe të shpejta, të cilat e shpërblejnë po shpejt mundin dhe investimin si edhe ka nevojë për plane konkrete, për nxitjen prodhimit vendas të cilat synojnë uljen e kostove dhe rritjen e konkurrueshmërisë.“Bujqësia është një kantier ende i paçmuar sa duhet për rritjen ekonomike dhe për rritjen e punësimit, sidomos në agro-përpunim, agro-turizëm apo dhe peshkim. Natyrisht kjo është një sfidë që nuk ka filluar sot dhe nuk do të mbyllet nesër, por është e domosdoshme për t’i dhënë vendin që meriton në përballimin e kësaj sfide Universitetit Bujqësor të Tiranës”, tha ndër të tjerash ai.Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti shfrytëzoi këtë takim për t’i dorëzuar rektorit të UBT-së tapitë për të gjitha pasuritë e patundshme në administrimin e këtij Universiteti, që bëhet i pari në sistemin e arsimit të lartë publik që realizon hipotekimin e pronave të tij dhe ky është një shembull shumë i mirë për t’u ndjekur.“Unë jam produkt i Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe besoj se edhe në këtë kapacitet më takon që të kryej edhe aktin formal të dorëzimit në administrim të plotë nga ana e këtij Universiteti të territoreve, të tokave, pjesë e kampusit të Universitetit duke qenë i bindur se ne i kthejmë legjitimitetin Universitetit dhe vëmë në dispozicion të këtij Universiteti një bazë shumë të rëndësishme për realizimin e edukimit të brezit të ri, për realizimin e kërkimit shkencor, për realizimin e projekteve të zhvillimit”, tha Ministri, duke e cilësuar 7 Marsin, si ditën më të përshtatshme dhe më domethënëse për të kryer edhe këtë akt formal të dorëzimit nga ana e qeverisë shqiptare në administrim të plotë të tokave të Universitetit të Lartë Bujqësor.