Kujtesë për të ribërë të vrarët…

-Në nderim të Sejkove-Në një nga sallat e Muzeut Kombëtar në Tiranë u mblodhën të ftuar nga shoqatat “Çamëria” dhe të ish të persekutuarve visar-zhiti-italipolitikë për të kujtuar për herë të parë një djalosh 24-vjeçar, të vrarë para 40 vjetëve nga diktatura, Sokol Sejko.Familja e tij çame u shkatërrua, fisi i tij po kështu u godit rëndë, si nga një mallkim i tmerrshëm dhe absurd. Sokolin e pushkatuan si sabotator të një kombinati tekstilesh me emrin “Mao Ce Dun” atëherë, ku ai ishte thjesht punëtor, ndërkohë më parë i kishin vrarë të atin si agjent, admiralin e flotës detare shqiptare, Teme Sejko. Më pas e shoqja e tij, kur i vranë dhe djalin, u hodh nga dritarja me fotografinë e Sokolit të saj në gji, pikërisht ajo foto që ndriçonte tani e madhe në ballinën e sallës, përsipër së cilës lexohej: “Nuk dua mëshirë nga të pa mëshirshmit…”. Poshtë fotos në ekran ishte emri: Sokol Teme Sejko (1950-1974).Vëllanë e tij, Mond Sejko, e futën në burg. Pse ky ndëshkim mizor, që as perënditë e lashta epirote nuk guxonin. Kujt i duhej? Kush krijonte gracka të tilla, që çamët, popull martir, të shmangeshin nga detyrat e larta me rëndësi kombëtare? Kujt i duhej dhe kush ishin agjentët e vërtetë? Ç’thonë dosjet nëpër arkivat tona dhe ato të vendeve të interesuara? Ç’sekrete e mistere fshehin, që as vdekja nuk i zhbën dot?Këto janë çështje që kërkojnë përgjigje. Unë dua të kujtoj këtu një bashkëvuajtësin tim nga Sejkot, në nderim të martirizimit të çamëve…LIRIMI I MONDIT…(nga burgologjia “Rrugët e Ferrit”)- Hë, e liruan Mondin?- Aty e lamë, po priste…I kishte ardhur dita. Po priste tek oborri poshtë. Por po vononin ta thërrisnin. Lirimet zakonisht bëheshin shumë shpejt, gati si fshehurazi, një çast. Pas mëngjesit, ndonjëherë dhe para apelit. Por Mondin nuk po e thërrisnin lart. Dhe nuk po shqetësohej vetëm ai. Të burgosurit tej, kur dilnin nga depoja ose vinin nga ndonjë punë jashtë telave me gjemba, pyesnin: hë, e thirrën Mondin? Jo, akoma… Pse?Mond Sejko vazhdonte të bënte ecejake i vetëm, të shkurtra, nervoze, por vetë nuk dukej nervoz… Sa djalë i mirë, thoshin të gjithë, mua më kishte dhënë gjithmonë kurajë, sidomos kur më bënë minator dhe s’e përballoja dot martelin, trandjen e tij dhe pluhurin që dilte nga shkëmbi e më mbulonte të tërin. “…intelektualë të tjerë, që s’dinin ç’ishte puna fizike, burgu, nuk janë gjunjëzuar, – më tha. – Vinin nga librat drejt e këtu e qëndruan si nëpër libra. Ata kujto.” Edhe vetë Mondi ashtu ishte, si nëpër libra, i pathyeshëm. Pas pune mundohej të mësonte ca frëngjisht, pastaj italisht, anglisht. Buzëqeshte kur unë e thërrisja ndonjëherë Edmond Dantes, personazhi i “Kontit të Monte Kristos”. Në fakt i uroja fshehtas, një fat të atillë, daljen nga burgu, hakmarrjen, pasurinë…Por nuk po e lironin. Vite e vite burg kishte bërë. Amnistia se ç’i uli, por dhe me punë kishte fituar. Mjaftonte një ridënim dhe humbisnin të gjitha. Se mos e arrestonin përsëri? Kaluan dy orë, tri, katër… U teprua, nuk po e thërrisnin. S’i thoshim dot asgjë. Ndiheshim ligsht. Le të bëhet ç’të bëhet, përgjigjej, ndërsa ndiznim ndonjë cigare me të sipas ritualit të lirimit. Me çfarë ta ngushëllonim?Ishte bir i një të pushkatuari nga Partia që, megjithëse çam, qe akuzuar si agjent grek. Me gradë tepër të lartë në flotën ushtarake, Teme Sejko i duhej Partisë si agjent i imperializmit, si i lidhur me grekët, dhe e mashtruan, ia ngarkuan këtë antidetyrë, thoshin në burg, derisa e çuan para skuadrës së pushkatimit.Kështu deshën t’ia bënin dhe djalit tjetër të tij, që ia pushkatuan, por ai ua përplasi, ju jeni kriminelë, vrasës, u tha në gjyqin e hapur, që ia bënë në kinoteatrin e qytetit. Po, po, është e vërtetë. Kishte punuar në kombinatin e tekstileve “Mao Ce Dun”. Kur Kina tradhtoi, ia hoqën atë emër kombinatit, po tradhtarët janë këta, ju! Ule zërin ti, mos fol…Vëllanë e Mondit e akuzuan… si sabotator, donte të digjte repartin ku punonte, a të gjithë kombinatin, uzinat, Beratin… Bashkë me një vajzë… Jo, kurrë, por u duheshin armiq prapë. Trashëgimtarët e armiqve. Atë gati e kishin. Pale, ishte dhe trim, pra i rrezikshëm, çam, që do të thotë i dyshimtë për ta… Me vdekje u dha dënimi, me pushkatim. Dhe përplasën duart si të ishin në teatër. Fjala e fundit, i thanë para pushkatimit. Qoftë fundi juaj! – thirri. Po ku e groposën, ku? Nuk dihej.Mondi psherëtiu. Ia ndjeva afshin psherëtimës, aq sa më dogji dhe mua në fytyrë.Në truallin ku është ngritur ai kombinati, pa emrin “Mao Ce Dun” tani, kur ishte djerrinë e keqe dhe binte hija e kalasë së lashtë, edhe Skënderbeu humbi këtu, thoshte im atë… – doja të rrëfeja unë, po më mirë të mos flisja, – nën ato themele… groposën kufomën e xhaxhait tim, të vrarë në hetuesi, pa gjyq, e mbuluan me baltë, fshehurazi. Po pse? Ishte nacionalist, kundërshtar… Kështu pëshpëritej në fisin tim.Dhe, kur në kronikat televizive jepej ndonjë reportazh nga kombinati i tekstileve, propagandoheshin prodhime e shiheshin coha e basme që rridhnin e rridhnin, mua më shfaqeshin kufoma, sikur çmbështilleshin ato dhe qefini s’mbaronte. Stofra të errëta për kostume pushkatimesh. Jo, ka kostume dhëndërie. Po me atë kostum vdesin shqiptarët, e futin në dhe me të. Por jo të pushkatuarit…Eh, s’kishte si t’i shkonte mbarë industrisë sonë! Fabrika të ngritura mbi krimin… vetëm industrinë e fajit zhvilluan këta… E do të binte ndëshkimi mbi to e mbi njerëzit e tyre… Do ta zinte mallkimi, patjetër. Keq do të përfundonin. Do të sulmohen fabrikat ndonjë ditë, mbaje mend, do të rrënohen, do t’i thyejnë makineritë, do t’i shkulin, do t’i marrin zvarrë me kuaj dhe do t’i shesin si hekurishte, mbaje mend. E parandiej. Se…Mondit po i dridheshin duar dhe buzë.- Ja fotografia e nënës sime, – m’u përsërit zëri i tij i përqarët. Një grua e re, e bukur, e qeshur. Dikur… – U hodh nga dritarja mu në mes të ditës, mu në mes të qytetit. S’e duroi dot më vrasjen tjetër, të… E pashë kur e mbuluan me një çarçaf të bardhë, që u përgjak.- Sikur të kishin çelur trëndafila shpejt e shpejt, – mërmërita, – që s’ia dhamë dot.Dizenjo për cohat e kombinatit, hë, bëje, piktor. Ç’të thosha, të thërrisja? Po dridhesha edhe unë.Mondin e morën gjyshi me gjyshen, ku jetonin vetë, në atë qytetthin me emër të tmerrshëm: Stalin. Po a do të kenë nga emrat tanë vendet tona, ej? Hodhi shtat Mondi, u bë i pashëm, por i pikëlluar. I heshtur, por gjithë mirësi. Dhe e morën ushtar, në një repart ku s’kishte as pushkë druri, siç i stërvitnin gjoja ndonjëherë ata me biografi të keqe. Punonin kanaleve e nxirrnin patate. Më tregonte im vëlla, Shpëtimi, kishte qenë ushtar me të.Aq kishin pritur, sa të rritej, dhe e arrestuan. Në burg erdhi me rroba ushtari Mondi. Pastaj gjyshi me gjyshen u rrëgjuan edhe më e nuk i vinin dot në burg. I dërgonin pako, nga kursimet e veta… Ndoshta u kujtohet se si Greqia dogji Çamërinë me gjithë çamët, i thosha Mondit, por ja që paskësh dhe më keq se i huaji. Yti…Më shikonte më vërejtje. Dinte të kishte besim. Dhe të mos besonte. A do ta lironin tani? E përmbushi dënimin të gjithë, madje e tejkaloi. Është dënuar sa më s’ka…Kaloi paraditja. Në punë, nën tokë, bisedohej për të: Aty tek oborri e lamë… Priste pranë thesit të tij (…plot me burg…) Vinte rrotull. I qetë në dukje. Të gjithë, gjithë jetën, rrotull atij thesi do të vijmë. Gryka e tij është e lidhur edhe me këmbën tonë me një fill vetëtime… Lëri poezitë ti.Sa herë kishte ndodhur të riarrestonin në ditën e lirimit plot të burgosur. U hapnin sportelin e portës në biruca dhe, pa u thënë asgjë, u zgjatnin një copë fletë. Jo atë të arrestit, por vendimin e gjyqit pa gjyq. Edhe 10 vjet të tjera burg për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe shtetit. Ku? Në burg…Kur ndërresa e dytë e punës u ngjit lart për në minierë, pyesnin njëri-tjetrin:- Hë, e thirrën Mondin lart?- Po.- Për ta liruar apo…?- Njëlloj janë, edhe dënimi dhe lirimi i këtyre. Si bora… si ajo gumëzhima…- Ç’ke me borën, është e pastër ajo, e bardhë, as komuniste, as fashiste, vjen nga qielli.PAK RINGJALLJE(nga burgologjia “Ferri i çarë”)Po iknim. Kush të mundte. Me pasaporta, pa pasaporta, fshehurazi, si vizitorë e s’ktheheshin më, me traget, më këmbë, iknin, kaptonin mure ambasadash, kufirin… Dhe shteti donte të iknin, sa më shumë, sidomos të persekutuarit politikë, shokë burgu, prapa diellit.Mond S. do ta takoja para se të ikte, në një nga mitingjet e mëdha në kryeqytet. Qe veshur bukur, nuk dukej se kishte qenë në burg, i përzemërt, por me atë pikëllimin e gjithmonë. Ndërsa oratorët shanin diktaturën, sidomos ata që s’ishin dënuar ndonjëherë – sa bërtisnin, eh! – mes zhurmave, dëgjoja ç’më thoshte Mondi.Jemi të zhgënjyer. E di. Jam bërë baba dy herë. Oh, gëzohem! Djalit i kishte vënë emrin e të atit (… të pushkatuar…), kurse vajzës – atë të së ëmës (…që u hodh nga dritarja, vrau veten…). Kam ngjallur prindërit, tha siç thuhet. …i ribëjmë ata, shtova unë. Ndriti ngazëllueshëm.Pastaj do të më dërgonte të fala me mërgimtarët që vinin nga Amerika. S’e di a e gjeti varrin e të atit. Po të vëllait të pushkatuar? Si do të ringjallet ai?… /Burimi: mapo.al/