Shqipëri-Hungari, firmoset memorandum mirëkuptimi në fushën e bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti dhe Ministri i Bujqësisë së Hungarisë, Sandor Fazakas nënshkruan në Budapest, Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e Bujqësisë, që do t'i hapë rrugë forcimit të bashkëpunimit në këtë sektor jetik për të dy vendet dhe do të rrisë më tej shkëmbimet tregtare.Në takimin dypalësh që zhvilloi me homologun Fazakas, Ministri Panariti u shpreh se Shqipëria dhe Hungaria duhet të identifikojnë pikat ku secili vend ka avantazhe krahasuese dhe të forcojnë shkëmbimet tregtare. Panariti u shpreh se Shqipëria mund të importojë prej Hungarisë produktet e mishit, pulat, etj ndërsa Hungaria mund të importojë prej Shqiperisë frutat e perimet për të cilat kemi avantazh pasi dalim në treg më heret se vendet e tjera të Europës.Ndërkohë Ministri Panariti kërkoi prej Ministrit Fazekas që Hungaria të ofrojë eksperiencën e vet në procesin e integrimit në BE, konkretisht në sektorin e kontrollit të cilësisë së produkteve, në sektorin e statistikave, të ushqimit të kafshëve etj.Më pas dy Ministrat firmosën Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e bujqësisë, ku dy palët angazhohen për të nxitur bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe agroindustrisë, për shkëmbim eksperience ne krijimin e pikave të grumbullimit, shkëmbim experience në politikat bujqësore, bashkëpunim institucional, akademik, kërkimor, në fushën e statistikave bujqësore, ofrimin e bursave për studentët në sektorin e agrobiznesit etj.Ministri Fazakas tha se ky memorandum është hapi i parë që i paraprin një forumi të biznesit Shqipëri -Hungari. Ai sugjeroi krijimin e një grupi pune mes dy Ministrive që të punojnë për gjithë pikat e këtij memorandumi.Ky takim u zhvillua gjatë Forumit Global për Bujqësinë Familjare. Ministri Panariti uroi Ministrin Fazakas për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm, ku Shqipëria ka c’të përfitojë pasi rreth 90 % e bujqësisë në Shqipëri, është bujqësi familjare.