Korrupsion në tenderat e HEC-eve, Shoq. e energjisë së rinovueshme i ankohet Kuvendit

Investitorët e HEC-eve ankohen për korrupsion gjatë zhvillimit të tenderave.Të ftuar në një seancë dëgjimore në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Vasil Gjika, nënkryetar i Shoqatës së Energjisë së Rinovueshme deklaroi se midis kompanive ka përplasje për shkak të ndërhyrjeve.Gjika u ankua gjithashtu edhe për borxhet që i ka KESH për shkak të energjisë së papaguar.Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, deklaroi se sistemi energjitik në vendin tonë ndodhet në një kolaps të plotë.“Sistemi energjetik është në një pikë shumë kritike, pikërisht për shkak të një mungese të plotë strategjie dhe një lëvizjeje kuturu të cilës i është nënshtruar gjatë të gjithë këtyre viteve. Investitorët e nderuar që sot kanë ardhur në komision janë vetëm një hallkë e këtij sistemi të çakorduar dhe sigurisht që ndërhyrja duhet të jetë e plotë. Nuk mund të rregullojmë një hallkë të tij pa e ndërthurur me të gjitha hallkat e tjera të sistemit. Ky sistem ka nevojë për një reformë totale: institucionale, ekonomike, financiare, administrative,” tha Shalsi.Nga 330 HEC-e që janë dhënë me konçesion në vendin tonë, vetëm 90 prej tyre janë në funksion dhe prodhojnë energji të cilën ia shesin KESH-it.