MPJ dënon ndërhyrjen e Rusisë, mbështet vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në Krime
Ministria e Punëve të Jashtme dënon ndërhyrjen me forca ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë, në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.Duke dënuar veprimet politike që synojnë legjitimimin e përdorimit te forcës, MPJ shpreh mbështetjen e saj të vendosur për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës, si edhe të drejtën e popullit të Ukrainës për të përcaktuar të ardhmen e vet, pa ndërhyrje nga jashtë.MPJ bën thirrje që të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe marrëveshjet e nënshkruara, duke evituar çdo përdorim force që prodhon efekte destabilizuese të rënda për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe bën thirrje për rikthimin e dialogut politik, si mjeti legjitim që do të çonte drejt normalizimit të situatës.MPJ vlerëson angazhimin e Autoriteteve të Ukrainës për respektimin e vlerave demokratike, të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve dhe thekson rëndësinë e një procesi politik gjithëpërfshirës, që të përmbushë aspiratat demokratike të të gjithë popullit të Ukrainës.MPJ mbështet fuqimisht vendosjen sa më të shpejtë të vëzhguesve ndërkombëtarë të OKB-së dhe OSBE-së në zonën e Krimesë dhe Ukrainës lindore, për t’i dhënë mundësi konkrete Bashkësisë Ndërkombëtare që të informohet në kohë reale dhe në mënyre transparente mbi zhvillimet e situatës.MPJ është në sintoni të plotë me qëndrimet e NATO-s dhe të aleatëve tanë strategjikë dhe e ka shprehur vullnetin e saj duke ju bashkuar qëndrimit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian gjatë mbledhjes plenare të OSBE-së të mbajtur sot në Vjenë.