Ristani: Shumica po tregon arbitraritet, sulm institucioneve të pavarura
Partia Demokratike nuk do të lërë për asnjë moment bosh fushën e betejës në Kuvend. Deklarata vjen nga deputeti demokrat, Arben Ristani, i cili hodhi poshtë çdo mundësi bojkoti, por la të hapur mundësinë për një miksim të mundshëm të betejës parlamentare me atë të protestave, siç tha ai në stil të moderuar, larg modelit që la trashëgimi mazhoranca e sotme, dje opozitë. Sipas Ristanit qëndrimi protestues i opozitës po diktohet nga arbitrariteti i shumicës, qoftë në nivel ekzekutiv, ashtu dhe në parlament.“PD e ka bërë të qartë pozicionin, nuk do lërë bosh fushën e betejës në Kuvend. Por ne kemi dashur të japim sinjalin se Kuvendi ka dalë nga shinat e Kushtetutës, nuk jemi në situatë normale. Marrim integrimin, kemi tre kushte. Konsensusi është shumë i rëndëishëm. Erdhi në pushtet mazhoranca dhe goditi ligjin dhe konsensusin për të. Bëri gati një ligj tjetër për ta shtyrë ligjin për nëpunësin. Kjo tregon arbitraritet. Për më tepër fillon e sulmon isntitucionet e pavarura, u fut në Kuvend shkarkimi i kreut të ILDKP-së në shkelje të rregullores. Përveç synimit për të mposhtur opozitën ka dhe një synim tjetër prej tyre. Nuk u intereson integrimi me sa duket dhe as marrja e statusit kandidat. Këtë po e tregon me goditjen e institucioneve të pavarura, pas ILDKP-së do goditet AMA, Autoriteti i Konkurencës, u godit Presidenti.Ne nuk do hipim mbi tavolina, as të futemi në parlament me daulle e bilbila, por do bëjmë protesta të qytetëruara dhe civilizuara”tha ai.Referuar konfuzitetit dhe debateve me të cilat u shoqërua mbledhja e komisionit parlamentar hetimor për lëvizjet në polici, Ristani në cilësinë edhe të kreut të komisionit tha se nuk pati bojkot nga opozita, por mbyllje të punimeve për shkak të ezaurimit të rendit të ditës dhe situatave të pakëndshme të krijuara gjatë debateve.“Komisioni hetimor drejtohet nga opozita, me një rend ditë kërkuam të zhvillonim mbledhjen. Miratuam rregulloren, u bëra me dije kërkesën që kemi bërë. Duke qenë se kemi të bëjmë me një shtim të paprecedentë të rasteve të tritolit, drograve që lëvizin nga Shqipëria dhe kapen në vendet fqinje, në këtë situatë sigurisht që lëvizjet në policinë e shtetit kanë pasur ndikimin e tyre.Humbja e kontaktit dhe informacionit ka sjellë dhe këto pasoja. Ne kërkuam të dimë mbi ç’kritere janë bërë këto lëvizje. Lëvizje të tilla masive, në të njëtën kohë, të gjithë njerëzve, humbet këto lidhje. Ne kemi bërë një listë të gjatë. Unë bëra këtë deklarim në komision, pasi ramë dakord që para se tu dërgoja dërgesat institucioneve do tua komunikoja paraprakisht. Pati reagime, ngritje zëri, i dëgjova. Ngaqë u krijua një situatë e pakëndshme, ndërkohë që u ezaurua dhe rendi i ditës, e mbylla mbledhjen në cilësinë e kreut të Komisionit. Ata menduan se mund ta shfrytëzojnë për të dhënë deklarata shtypi, por situata është kjo. Ne bëjmë planin paraprak të hetimit. Pasi të marrim informacionin do bëjmë planin e hetimit. Informacioni është voluminoz. Do presim të na vijë, sot dhamë kompromis që ti kërkojmë drejtorisë së përgjithshme të policisë që sapo të na bëjë një set gati të na e dërgojë, pra ta marrim pjesë pjesë” u shpreh Ristani.Në intervistën e mbrëmjes në Ora News, deputeti demokrat denoncoi rritjen e kriminalitetit dhe pasigurisë në vend, duke veçuar si më problematike rastet e shpërthimit me tritol, trafikun e narkotikëve dhe shtimin e grabitjeve. Për Ristanin kjo situatë e pakrahasueshme me asnjë periudhë të asnjë viti post ’97 është pasojë direkte e lëvizjeve pa kriter në policinë e shtetit. Ndërkaq ai ka shprehur gadishmërinë e opozitës për tu ulur në bisedime me mazhorancën për përcaktimin e një plani masash, me qellim kthimin e sigurisë në vend.“Lufta me krimin është e pandalshme, por minimizohet. Çështja është që situatat e tritolit janë absolutisht të veçanta. Asnjë muaj i viteve të kaluara nuk ka qenë kaq i ngjeshur në njësinë e kohës nga shpërthimet me tritol sa çështë tani, sikundër trafiku i drogës dhe grabitjet me maska. Kjo e fundit është e lidhur edhe me situatën e vështirë ekonomike në të cilën kjo qeveri po e çon vendin. Të thuash sot se krimi është 35% më i ulët, kur skalojmë një ditë të qetë është absurde. Opozita gjatë gjithë fjalorit të saj politik është e gatshme për çdo lloj dialogu që i shërben vendit. Në mënyrë absolute janë të përkrahur dhe mbështetur sa herë që aksionet janë të sukseshme, dimë të dallojmë punonjësin e policisë që zbaton ligjin, me militantin e rekrutuar atypër përfitime të tij. Krimi nuk është në favor të askujt. SHISH ka për detyrë të mbledhë informacionin dhe ta çojë në destinacionin që ia përcakton ligji.SHISH ka detyrë ta hetojë çështjen, por a mund të lëvizë gjithë kjo drogë pa bashkëpunimin me policinë absolutisht jo. A është e rastësishme qe drejtuesit e kufirit në Sarandë janë militantë të PS, sigurisht që jo. Kjo drogë kalon na bashkëpunim me policinë” përfundoi ai.