"Ta fitojmë kauzën Shqipëria në BE", Napolitano-Nishani: Politika të bashkëpunojë

Edhe pse mban prej një kohë te gjatë detyrën e Presidentit të Italisë, Georgo Napolitano, është rikthyer në Shqipëri pas 17 vjetësh, ku eshte pritur ne nje ceremoni shteterore. Presidenti Napolitano u shpreh i bindur se Shqipëria do të fitojë kauzën e integrimit në BE dhe siguroi se drejt kësaj fitorje në krah do të ketë Italinë.“Ne do të vazhdojmë të bëjmë avokatin për Shqipërinë dhe gjëja e rëndësishme për një avokat është që të mos humbim kauzën tonë. Jemi të bindur se do e fitojmë dhe kauzën që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian. Europa është e ndarë dhe punon në të gjitha mjetet dhe në të gjitha mënyrat dhe sigurisht Shqipëria është e përfshirë në këto procese përpara se ajo të shndërrohet në një anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian dhe sigurisht kjo do të ndodhë dhe shpresojmë të ndodhë sa më shpejt pas marrjes edhe të statusit të vendit kandidat. Është e vërtetë që procesi i integrimit është një rrugë që kërkon një këmbëngulje të madhe por kam bindjen se ashtu sikurse Kroacia dhe Sllovenia ashtu edhe Shqipëria do të gjejë në vetvete energjinë për të ndjekur deri në fund rrugën e saj. Europa në periudha të tjera është shfaqur si zgjidhja më e lehtë për problemin e mirëqënies dhe e rritjes ekonomike dhe shoqërore por e gjitha kjo ka ndryshuar si pasojë e krizës ekonomike që ka goditur Europën" tha Napolitano.Në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar e cilësoi Italinë si një partnere kyçe në fushën ekonomike."Sot është një ditë e veçantë për mua dhe për popullin shqiptar pasi na ndëron presidenti i Italisë, vendit të madh fqinj që na është gjetur gjithmonë pranë. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve mbështeten mbi miqësinë e fortë dhe fqinjësi, të formalizuara edhe në partneritetin strategjik . Ne kemi vullneti për ta thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Duhet të intensifikojmë dialogun politik nëpërmjet shkëmbimeve të rregullta dhe vizitave në të gjitha nivelet dhe veçanarisht ato të nivelit të lartë.  Italia është një partner kyç dhe mjaft i rëndësishëm në fushën ekonomike.  Shpreha interesin për të avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të rritur shkëmbimet tregëtare, për të promovuar investimet italiane në Shqipëri, për të ftuar kompanitë italiane të investojnë në Shqipëri në fusha si energjia, infrastruktura, turizmi etj" tha Nishani.Kreu i shtetit i shprehu mirënjohjen homologut të tij për mbështjetjen që Italia I jep Shqipërisë në procesin e integrimit duke e garantuar atë se vendi ynë do të bëjë ndryshime thelbësore për sundimin e ligjit."Ne e konsiderojmë statusin e vendit kandidat si stacionin e radhës të një rruge e cila do të kërkojë reforma të mëtejshme, shumë të thella dhe më të plota sidomos sa i përket sundimit të ligjit në mënyrë që të përgatitemi për hapjen e bisedimeve të pranimit. Ne jemi shumë të vendosur për të bërë një ndryshim thelbësor në këtë fushë. Shpreha besimin se mbështetja e Italisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.  E sigurova presidentin Napolitano se Shqipëria do të vazhdojë me rolin e saj aktiv dhe kontruktiv në procesin e bashkëpunimit rajonal duke promovuar parimet e gjithëpërfshirjes dhe të bashkëpunimit dy dhe shumë palësh kryesisht nëpërmjet nismave rajonale” shtoi Nishani.Në orën 11: 35, Napoletano është takuar me kryeministrin Edi Rama.Duke e falënderuar zotin Napoletano për vizitën, Kryeministri Rama u shpreh se është gjithnjë një kënaqësi të presë një mik të shqiptarëve.Kryeministri Rama dhe Presidenti Napoletano nënvizuan se miqësia mes dy popujve, që i bashkon jo vetëm afërsia gjeografike, por edhe afërsia kulturore dhe interesa të përbashkëta si dy vende fqinje, përbën një bazë të fortë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.Rama theksoi se mbi këto themele dhe konsiderimin e Italisë një partner kyç, ndërmori disa vizita në Itali, me fokus rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe shtimin e investimeve italiane në Shqipëri.Presidenti Napoletano vlerësoi punën e Qeverisë shqiptare, si dhe garantoi Kryeministrin Rama se Italia qëndron në krah të Shqipërisë. Në takim u vlerësua roli e kontributi i Shqipërisë në rajon, për të cilin Kryeministri Rama nënvizoi se 100 vjet pas fillimit të Luftës i Botërore, Ballkani jeton një situatë cilësisht të ndryshme.Perspektiva e përbashkët europiane e Ballkanit, u shpreh Kryeministri, sot është e qartë dhe më e afërt. Ndonëse, theksoi ai, kjo kërkon edhe marrjen e përgjegjësive të reja përballë sfidave të reja që kanë të bëjnë me zhvillimin e prosperitetin e rajonit.Më pas ne Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia e dekorimit të Presidentit të Republikës italiane me "Dekoraten e Flamurit Kombetar". Kjo ceremoni ka mbledhur bashkë krerët e shtetit shqiptar, Nishani, Meta, Rama dhe liderin e opozitës Lulzim Basha. Edhe pse pranë njëri-tjetrit, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD Lulzim Basha nuk u panë të shtrëngonin duart.AxhendaEdhe pasditja e sotme do të jetë po kaq intensive, ku Napoletano në orën 16:50 do të zhvillojë një takim me kryetarin e kuvendit Ilir Meta, në 17:05 Kuvendi do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme dhe në orën 17:10 Presidenti Napolitano do të mbajë një fjalim në Kuvend.Axhenda e takimeve do të përmbyllet në orën 17:50, ku Presidenti italian do zhvillojë një takim me komunitetin italian në Shqipëri.

Meta, Napoletano: Italia mbështet integrimin e Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim të veçantë në Kuvend Presidentin e Republikës Italiane,Giorgio Napolitano, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e ngushta strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë dhe diskutuan mbi ecurinë e zhvillimeve politike në të dy vendet.Kryetari i Kuvendit shoqërohej në takim nga Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade dhe Kryetarja e Komisionit për Integrimin Evropian, njëkohësisht Kryetare e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Itali, Majlinda Bregu.Meta pasi shprehu mirënjohjen për vizitën e Presidentit Napolitano në Tiranë, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar se Shqipëria mbështetet në përkrahjen e vazhdueshme të Italisë për zhvillimin dhe perspektivën e saj evropiane.Presidenti Napolitano vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara gjatë këtyre viteve dhe se mbështetja e Italisë në përmbushjen e reformave që kërkon integrimi evropian, do të jetë e pakursyer dhe me bindje të thellë.Pas takimit, Meta e ftoi Presidentin Napolitano të mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.