Prodhimi i midhjes në Sarandë, kultivuesit krijojnë kooperativë, pretendohet eksporti

28 kultivues të midhjes në liqenin e Butrintit në Sarandë, i janë rikthyer krijimit të kooperativave duke e konsideruar këtë nismë si mjaft të rëndësishme për fuqizimin e biznesit të tyre. Ata shprehen se duke qenë të bashkuar organizimi i punës, produktiviteti dhe cilësia do të jenë në nivele më të larta që do të shoqërohen njëkohësisht edhe me uljen e kostos së harxhimeve.

Sipas tyre, tregu i brendshëm nuk ka kapacitet për të tërhequr të gjithe prodhimin, ndaj dhe impiantet nuk vihen në kapacitet të plotë.

Sasia e tërhequr nga tregu vendas shkon 12-15 mijë kuintal ndaj është i nevojshëm edhe eksporti, pasi prodhimi i midhjes në këtë zone shkon deri në 35 mijë kuintalë.

Kultivuesit e pranishëm që iu bashkuan me vullnet të lirë kooperativës së subjekteve të midhjes, u njohën me qëllimet dhe avantazhet e këtij organizimi të provuar për suksesin e vet në vende të tjera të zhvilluara europiane.

Ky nuk është rasti i parë ku në Sarandë operohet në të tillë formë duke përmendur këtu edhe fermerët e komunës Xarrë, të cilët kultivojnë kryesisht mandarina e portokalle, të cilët janë futur prej vitesh në treg me moton:"veç në prodhim, por bashkë në shitje".