Kryetari i Kuvendit, Meta takim me delegacionin nga Bundestagu gjerman

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në Kuvend një delegacion të Bundestagut gjerman, i kryesuar nga Joannes Sell (Grupi Parlamentar CDU). Duke i vlerësuar si shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve, Meta shprehu dëshirën për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve e nxitjen e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut gjerman dhe theksoi se dhe grupi parlamentar i miqësisë Shqipëri-Gjermani  do të kontribuojë në këtë drejtim.Në vijim të takimit Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë duke e vlerësuar kontributin e saj  të jashtëzakonshëm për zhvillimin e vendit, për  forcimin e demokracisë por dhe në fusha të tjera si infrastrukturë dhe energjetikë.  “Në mbështetemi tek Gjermania për të ardhmen tonë evropiane,” theksoi Meta, “jo thjesht për integrimin tonë në BE por për arritjen e standardeve evropiane në Shqipëri”.Përfaqësuesit e Bundestagut gjerman falënderuan Kryetarin e Kuvendit për mundësinë e këtij takimi dhe u shprehen se marrëdhëniet e shkëmbimet mes parlamentarëve janë shumë të rëndësishme pasi parlamentarët janë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit e tyre, për rrjedhojë rritja e kontakteve mes parlamentarëve sjell rritjen e kontakteve mes popujve.Biseda u ndal dhe në ecurinë e reformave në vend dhe rëndësinë e konsensusit për avancimin e tyre.  Meta u shpreh se  “Shqipëria është e vendosur të avancojë me reformat e nisura, jo vetëm në kuadër të procesit të integrimit evropian, por veçanërisht  në funksion të thithjes së investimeve të huaja dhe forcimit të stabilitetit në rajon”.