Drogë në kufi, sekuestrohet 108 kg marijuanë, në pranga shqiptari

Tjetër sasi lënde narkotike është sekuestruar mbrëmjen e sotme në vazhdimësi të operacioneve anti-drogës në kufirin shqiptaro-greke. Kështu në kilometrin e 8 të aksit Kakavijë-Janinë janë sekuestruar 108 kg marijuanë, ndërsa është bërë dhe arrestimi i poseduesit të saj, 26-vjeçarit shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.Sipas policisë 26-vjeçari po vinte me makinë nga kufiri i gjelbër i Gjirokastrës në kohën që është ndaluar, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në automjet i është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri, kallashnikov në cilësinë e provës materiale. Rëndom si në shumicën e rasteve të ngjashme, lënda narkotike vinte nga Lazarati dhe kishte si destinacion shtetin fqinj, Greqinë.Kjo është sasia e tretë e lëndës narkotike që sekuestrohet brenda së martës, pasi në dy operacione të tjera u sekuestruan respektivisht 159 kg kanabis dhe 244 kg marijuane, ndërsa është bërë ndalimi dhe i dy shtetasve shqiptarë posedues të saj.Ndërkaq policia greke ka forcuar masat në kufi pas 3 rasteve të kapjes së drogës, ndërsa bën të ditur se ka kapur një automjet me dy klandestinë në Kakavijë. Automojeti u kap në kryqëzimin e Delvinaqit, në aksin Kakavijë-Janinë.Lidhur me këtë rast është arrestuar drejtuesi i automjetit, një 22-vjeçar shqiptar, ndërsa janë ndaluar edhe dy klandestinët shqiptarë 19 dhe 21 vjeç, të cilët gjendeshin në automjet. Sic bën të ditur policia greke, dy klandestinët kanë dëshmuar se e kishin paguar drejtuesin e mjetit për të kaluar ilegalisht kufirin.