Reagojnë ish të përndjekurit pas deklaratës së MF: Duam këstin e dytë

Ish-të përndjekurit grevistë kanë reaguar menjëherë pas deklaratës së Ministrisë së Financave, e cila bëri të ditur se të gjithë ish-të përndjekurit të cilët ndodhen në grevë urie e kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit. Grevistët kërkojnë shpërndarjen urgjentë të këstit të dytë për ta, por po ka edhe një grup të cilët deklarojnë se nuk kanë marrë ende asnjë këst.Më herët, pas plot 18 ditëve grevë urie të ish-të përndjekurve politike reagoi Ministria e Financave. Sipas Dorian Telitit, sekretar i përgjithshëm i financave, të gjithë ish të përndjekurit të cilët ndodhen në grevë urie e kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit dhe duke nisur nga e mërkura do të nisë të shpërndahet kësti i dytë.Ndërkohë që në lidhje me ish-të përndjekurin, Gjergj Ndreca, Teliti sqaroi se ka marrë një këst prej 3 mijë dollarësh si dëmshpërblim, ndërsa zjarrëvënësi i tij ka marrë 585 mijë lekë dëmshpërblim si dhe letra me vlerë.