Ministri Panariti vizitë në Francë, merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ndodhet sot për një vizitë në Francë me ftesë të Ministrit francez të Bujqësisë, Stephane Le Foll, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Bujqësisë në Paris, një nga aktivitetet më të rëndësishme franceze për bujqësinë që zhvillohet çdo vit në fund të muajit shkurt.Ministri Panariti do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët “Siguria ushqimore dhe bujqësia familjare në vendet e Mesdheut”, ku të pranishëm janë ministrat e bujqësisë të 22 vendeve të këtij rajoni.Tema e tryezës përkon me nismën e OKB-së që e ka shpallur vitin 2014 si vitin e bujqësisë familjare. Në këtë tryezë Ministri Panariti do të mbajë një fjalim të posaçëm për bujqësinë familjare në Shqipëri. Në fund të takimit do miratohet dhe një deklaratë e përbashkët e vendeve të Mesdheut për bujqësinë familjare.Përveç pjesëmarrjes në këtë ministerial, janë planifikuar një sërë takimesh bilaterale dhe vizita në terren për të parë nga afër eksperiencën më të mirë franceze në sektorin e bujqësisë.Ministri do të ketë takime të posaçme me Ministrin e deleguar për çështjet Agroushqimore Guillaume Garot dhe Ministrin e Deleguar për Transportet, Peshkimin dhe Detin,Frederic Cuvillier. Janë planifikuar dhe vizita në disa stenda në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë kryesisht në stendat e lopëve, drithërave, farërave, prodhimit bio, stendat e peshkimit etj.Një pritje ceremoniale do t’i bëhet Ministrit Panariti nga kryetarja e Bashkisë së Bolonjës znj. Mireille Hingrez Cereda, ku Panariti do të shoqërohet në disa vizita në qytetin e Bolonjës, konkretisht në portin e qytetit, në Kompaninë Marine Harvest, në tregun e peshkut, ku do të ketë takime me profesioniste të peshkimit etj.Ministri Panariti do zhvillojë edhe një vizitë në kantierin detar Socorenam dhe në Institutin francez të kërkimeve për shfrytëzimin e detit.