Rakiç fiton zgjedhjet në Mitrovicë: Detyra e parë, lirimi të serbëve të akuzuar për krime
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veriun e Mitrovicës, tregojnë se kandidati i Nismës Qytetare Serbe, Goran Rakiç, është zgjedhur kryetar i kësaj komune.Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ai ka fituar 52.6 për qind të votave, ndërsa i dyti radhitet kandidati i Nismës Qytetare SDP Oliver Ivanoviç me 27.7 për qind të votave.Ivanoviç, votoi nga paraburgimi ku ndodhet pasi u arrestua për përfshirje në krime lufte dhe krime të pasluftës në Kosovë. Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, edhe në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas, ishte kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës.Kandidatët e partive politike shqiptare, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Musa Miftari, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë fituar 11 për qind, përkatësisht 8.7 për qind të votave.Rreth 20 për qind e mbi 28 mijë votuesve të regjistruar kanë marrë pjesë në zgjedhjet e së dielës që ishin të katërtat me radhë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.Zgjedhjet u përsëriten, pasi kryetari i zgjedhur në votimet e dhjetorit të vitit që lamë pas, Kërstimir Pantiç, refuzoi në fillim të janarit të bëjë betimin duke kundërshtuar, t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës.Zgjedhjet e së dielës kaluan pa incidente dhe me pak parregullsi të regjistruara nga vëzhguesit vendas, të cilët thanë se ka pasur raste të votimeve familjare por edhe telashe me listat zgjedhore.Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që ka vëzhguar zgjedhjet, u shpreh i kënaqur me ecurinë e tyre.Përfshirja në zgjedhje e komunave veriore që janë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës, u bë e mundur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur ne prill të vitit të kaluar.Beogradi mbështeti Nismën Qytetare serbe, kandidatët e së cilës kanë fituar në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Pas, zbatimit të rezultateve të këtyre zgjedhjeve pritet krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të gëzojë një shkallë të gjerë të autonomisë në disa fusha. Krijimi i tij është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.Kjo marrëveshje i mundësoi Kosovës që të fillojë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian në tetor të vitit që lamë pas, ndërsa Serbisë i mundësoi fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.