Drejtuesit e furgonëve paralajmërojnë qeverinë me grevë të përgjithshme

Protestat e drejtuesve të taksive 8+1 ose siç njihen ndryshe furgonët, ka hyrë në ditën e 17-të të tyre. Në Tiranë shoferët janë mbledhur në periferi të qytetit, duke kërkuar qetësisht që qeveria të ndërhyjë për të ndryshuar situatën ku ndodhen, pasi po shkojnë drejt falimentimit.Por qetësia e tyre nuk do të zgjasë shumë, pasi ata shprehen se do të përshkallëzojnë nismën e tyre. Javën që vjen ata do të jenë më shumë, më të organizuar dhe me ide më të qarta, përballë institucioneve përgjegjëse.“Kjo është dita e 17 që ne po protestojmë në gjithë Shqipërinë. Çdo rreth po proteston në vendin e vet. Ne po presim edhe javën që vjen të përshkallëzojmë protestën në Tiranë gjithë vendi. Presim njoftim nga qeveria të heqë pikat që ka caktuar, kthimin bosh. Ne kthimi plot dhe ardhja bosh nuk na intereson, qeveria e di shumë mirë sa e ka çuar naftën. Ne jemi taksapagues me të gjithë dokumentat, me makina të kushteve që i kërkon qeveria. Shteti nëse thotë që s’do punojnë taksitë 8+1 mos të japë liçensa më, se unë nuk e di që janë dy qeveri, një Bashkia që jep liçensa dhe tjetra Haxhinasto me Tahirin. Sot për sot u duket e lehtë, nesër kur të jemi në Tiranë do të jetë e rëndë për ta, se të na shtypin me tank me gjithë furgona nuk tërhiqemi. Jemi 17 ditë pa bukë”tha njëri nga drejtuesit.Protestat në Korçë tashmë kanë kaluar në një tjetër fazë, ku drejtuesit e furgonave kanë bllokuar aksin rrugor Korçe-Pogradec. Sipas tyre qeveria nuk ka reaguar, pasi protesta kanë qenë paqësore, duke paralajmëruar për dhunë në rrugët nacionale.Drejtuesit e taksive 8+1 kërkojnë që në ligjin aktual të hiqet pika ku sanksionohet që ata rrugën e kthimit duhet ta bëjnë bosh. Shoferët sqarojnë se ky është një ligj i vitit 1998, ku një litër naftë kushtonte 30 lekë të reja dhe taksat ne vit kushtonin vetëm 7 mijë lekë të reja.