Takimi i BERZH-it, Rama: Shqipëria mundësi të shumta për investime
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizon sot një takim të nivelit të lartë me temë “Investimi në Ballkanin Perëndimor”, ku do të marrin pjesë kryeministra, përfaqësues politikë e sipërmarrës kryesorë të shumë vendeve.Në takimin e nivelit të lartë të BERZH-it ka mbajtur një fjalim edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili ka theksuar se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen për integrimin. Sipas tij, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një synim në planin afatmesëm i vendit tonë.Gjithashtu kryeministri Rama u shpreh se kriza ekonomike tregoi se ka ikur koha e modeleve të vjetra."Ne përballemi me vështirësi të mëdha ekonomike në fazën e një tranzicioni të gjatë. Rajoni ynë përballet me efektet e krizës, por edhe me të njëjta sfida që kemi patur më herët. Nga kriza ka ardhur një mesazh shumë i rëndësishëm, me të cilin jemi përballur edhe ne në Shqipëri. Mesazhi për Shqipërinë është se ditët me modele të vjetra ekonomike tashmë kanë ikur. Në Shqipëri do të kryhet një reformë e thellë fiskale që korrupsioni të mos ketë lidhje me administratën tatimore dhe e njëjta gjë do të kryhet edhe me financat publike që taksat e takspaguesve të shkojnë në drejtimin e duhur" tha Rama.Ai shtoi se zhvillimi i infrastrukturës do të jetë një nga prioritetet e qeverisë shqiptare për ta sjellë atë në standartet europiane.Kryeministri Rama gjithashtu i bëri thirrje investitorëve të huaj të vijnë të investojnë në Shqipëri duke u premtuar atyre se do të gjejnë tek qeveria një partnere të denjë për të zhvilluar biznesin e tyre."Shqipëria do ketë një model të ri të thithjes së investimeve të huaja, nuk do të ndiqen më praktikat e kaluara. Komuniteti ndërkombëtar i biznesit të vijë në Shqipëri” tha Rama duke shtuar se klima e biznesit ka nevojë për vëmendje të veçantë.Ndërsa Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ndërsa vlerësoi mbështetjen që BERZH po i jep Kosovës dhe rajonit theksoi se në Kosovë po rriten investimet publike dhe po ndërtohet një sistem të tregut të lirë.Qëllimi i forumit është që të nxjerrë në pah investimet e mundshme dhe mundësitë e të bërit biznes në rajon dhe për të nxitur investimet dhe projektet direkte.Konferenca ofron një mundësi unike për shkëmbimin e pikëpamjeve për të kapërcyer hendekun midis angazhimit politik dhe projekteve reale rajonale .