PD: Veliaj vuan nga sindromi i vitit zero, fyen mjekët
Partia Demokratike denoncon qëndrimet qesharake dhe fyese të Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë ndaj punës së okulistëve. Duke ju referuar një deklarate të Ministrit Erion Veliaj lidhur me një transplant të korneas në sy të cilin e cilësonte si të parin në vend, zëdhënësja e selisë blu Laura Vorpsi i bëri me dije se ndërhyrje të tilla kanë 20 vite që bëhen.Deklarata e plotë:Ministri Shpëtimtar Veliaj, doli fiasko në misionin e fundit të bamirësisë, duke bërë një akt, dhe një deklaratë që ka fyer komunitetin e mjekëve në vend. Ministri Veliaj, thotë se për herë të parë, dhe vetëm në një spital privat në vend, është bërë një transplant i korneas në sy, dhe sigurisht ai vetë ka meritën kryesore për mundësinë që i dha një pacienti.Por mjekët okulistë, e akuzojnë Ministrin se ka gënjyer, duke qënë se kjo lloj ndërhyrje sipas tyre, ka 20 vite që bëhet.Mjekët okulistë, i kërkojnë Ministrit të kërkojë falje, pasi ka fyer mundin dhe përpjekjet e tyre të shumë viteve në këtë drejtim. Mjekët okulistë, i bëjnë thirrje Ministrit të bëjë detyrën, dhe si anëtar qeverie të realizojë ato reforma për të cilat shëndetësia ka nevojë.Partia Demokratike, i kërkon një prej ministrave më qesharakë të kësaj qeverie, Shpëtimtar Veliajt, që t’u kërkojë ndjesë mjekëve dhe të qëndrojë brenda fushës që mbulon.Ekspedita e tij e fundit në shëndetësi, solli shumë probleme. Ne i kujtojmë z.Veliaj, autorit të fabulës së Griseldës, se ka ardhur koha të tregojë seriozitet, e të shërohet vetë së pari nga sindroma e vitit zero.