Rama firmos marrëveshje me BERZH: Shqipëria mundësi të shumta për investime

Banka Euriopiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të mbështesë Shqipërinë për nxitjen e investimeve të huaja dhe vendase. Marrëveshja është nënshkruar prej kryeministrit Edi Rama dhe kreut të BERZH në forumin rajonal për investime në Ballkanin Perëndimor, që u zhvillua në Londër.Gjatë fjalës së mbajtur në forum, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se investitorët e huaj do të gjejnë një klimë shumë miqësore në vendin tonë. Ndër të tjera Rama premtoi edhe njëherë luftë të ashpër ndaj korrupsionit.“Ne kemi ndërmarrë një sërë reformash që synojnë të përmirësojnë klimën e biznesit dhe rritjen e investimeve. Shqipëria ka potenciale të shumta për investime, si turizmi, infrastruktura dhe energjetika. Biznesi i huaj mund të investojë në Shqipëri dhe në këmbim qeveria u ofron një kontratë qeraje prej vetëm një euro. Në Shqipëri do të ketë një reformë të thellë fiskale, që korrupsioni të mos ketë lidhje me administratën tatimore. Shumë shpejt do të ketë një reformë të thellë edhe me financat publike, që taksat e takspaguesve të shkojnë në drejtimin e duhur. Nënvizoj rëndësinë e realizimit të projekteve rajonale të cilat synojnë të rrisin bashkëpunimin mes vendeve të ballkanit perëndimor” tha ai.Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, deklaroi se aktmarrëveshja synon të rigjallërojë proçesin e reformës ekonomike të vendit.“Ky është një hap i rëndësishëm dhe ne i përgëzojmë autoritetet shqiptare për kurajon për të trajtuar në mënyrë të drejt për drejtë sfidat me të cilat po përballet vendi. Kjo përbën një shembull për rajonin dhe më gjerë. BERZH është e gatshme të mbështesë fuqimisht dhe me vendosmëri të gjitha përpjekjet për të rigjallëruar tranzicionin” u shpreh ai.Të pranishëm në forum ishin edhe Kryeministrat e Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Qëllimi i forumit ishte prezantimi i potencialeve dhe mundësive për investime në rajon dhe promovimi i investimeve të huaja përtej kufijve.