Vrau dy miqtë e tij, pendohet në gjykatë Odise Verbofshi: Pres dënimin që meritoj

Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg”për Odise Verbofshin, të dyshuarin kryesor si autor i vrasjes makabër të ndodhur në Shkozet të Durrësit.Në seancën e sotme gjyqësore ku u njoh me masën e sigurisë, Verbofshi është paraqitur pa avokat, pasi asnjë avokat nuk ka pranuar të marrë në mbrojtje. Në këto kushte Gjykata e Durrësit pritet ti caktojë një avokat shteti.Vetë i pandehuri, Verbofshi, gjatë seancës së sotme ka shfaqur pendesë për krimin e kryer dhe ka kërkuar që të dënohet.32-vjeçari u ndalua dy ditë më parë nga policia e Korçës, gjatë tentativës për të kaluar kufirin drejt shtetit grek.Odise Verbofshi, është i dyshuari kryesor për vrasjen e dy të rinjve nga Fushë-Kruja, Shaban Babasi dhe Alfred Kasalla, të cilët pasi u ekzekutuan në kokë me plumb, janë gjetur të shkrumbuar brenda një automjeti, ku njeri prej trupave ndodhej i mbyllur në bagazhin e tij.Grupi hetimor pas hetimeve ka vërtetuar se vrasja e dy të rinjve ishte kryer në banesën e autorit të vrasjes në zonën e Shkozetit dhe më pas trupat e pajetë janë transportuar pranë ish-Kënetës.Nga hetimet e para, policia ka ngritur dyshimet se shkak për këtë ngjarje të rëndë ka qenë prishja e pazareve të drogës, ndërkohë që ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e 32-vjeçarit, Odise Verbofshi, Gazep Pili, i cili ka njëkohësisht edhe lidhje gjaku me autorin, si dhe ka sekuestruar në vendgjarje dy pistoleta dhe 74 kilogramë lëndë narkotike.