Aksion policor, arrestohen 64 shtetas të huaj, mbyllen 12 pika bastesh ilegale

Një operacion i gjerë i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) u zhvillua mbrëmë në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit.MPB njoftoi sot se në këtë operacion të koduar “Kanxha” janë kontrolluar lokalet e natës, lokalet hotelierike – shërbyese si dhe bastoret, ndërsa kanë marrë pjesë mbi 200 pjesëtarë policie nga njësitet e ndryshme.Gjatë kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokale janë gjetur 64 shtetase të huaja, prej të cilave 58 femra dhe 3 meshkuj janë dërguar në stacionet policore në Tetovë dhe Gostivar dhe se ndaj tyre do të ngriten kallëzime penale, një pjesë e shtetasve të huaja do të deportohen. Përveç kësaj janë legjitimuar edhe 391 shtetas të Maqedonisë, që kanë qenë mysafirë nëpër këto lokale.Në komunikatën publike të MPB-së theksohet se janë gjetur pasaporta të shtetaseve shqiptare që nuk kanë qenë të pranishme në ato lokale, por edhe dy armë zjarri janë gjetur në dy makina. Njëri nga të ndaluarit që i është gjetur pistoleta ka theksuar se është në procedurë për nxjerrjen e lejes për posedim arme.Ndërkohë, DAP ka konstatuar shkelje ligjore në disa sfera sa i përket fiskalizimit dhe shkelje të ligjit për ndalimin e duhanit. Një pjesë e lokaleve janë mbyllur menjëherë me vendim ndalese për 30 ditë.Në këtë operacion janë goditur edhe disa bastore, për të cilat është konstatuar se kanë punuar në mënyrë ilegale dhe nuk kanë poseduar licenca për punë. Vetëm një bastore ka punuar me leje të posaçme, ndërsa tek 12 të tjera janë gjetur parregullsi edhe në punë, ndërsa janë konfiskuar 263 mijë denarë dhe 440 euro, 55 televizorë, 29 kompjuterë, 20 monitorë, 16 printues si dhe mjete të tjera.