Venizelos asnjë deklaratë në Maqedoni, kalojnë në heshtje takimet e tij me zyrtarët maqedonas
Vizita e zëvendës-kryeministrit dhe Ministit të Jashtëm të Greqisë Evangelos Venizelos në Shkup nuk ka kaluar pa peripeci. Ai ka preferuar të udhëtojë nga Prishtina për në Shkup në rrugë tokësore për të shmangur aeroportin "Aleksandri i Madh", për shkak të emrit të tij, njëri nga heronjtë e shumtë që ka përvetësuar Maqedonia, por përkatësia e të cilit pretendohet edhe nga shtetet e tjera fqinje, sidomos nga Greqia.Pasi mbërriti në Maqedoni, Ministri i Jashtëm grek ka shmangur të gjitha institucionet dhe ambientet të cilat kanë mbishkrime të Republikës së Maqedonisë.Evangelos Venizelos, njëherësh zëvendskryeministër i Greqisë, refuzoi gjithashtu konferencën e përbashkët me Ministrin e Jashtëm, Nikolla Popovski, për shkak se në sallën e konferencave në prapavijë ishte mbishkrimi "Republika e Maqedonisë".Kjo u bërë e ditur edhe nga vetë Popovski, i cili shtoi se gjatë takimit u bisedua për çështjen e emrit të Maqedonisë, por edhe për presidencën greke të Këshillit të Bashkimit Europian."Nuk besoj se për momentin ekziston klimë politike për përkushtimin e palës tjetër rreth kësaj çështjeje që të bëhen hapa përpara. Ne në çdo rast do të mbetemi të përkushtuar në atë pjesë që ne e kemi nën kontroll, ajo janë të gjithë reformat që i bëjmë për një Maqedoni më të mirë. Do të mbetemi të hapur për dialog në çdo moment, në çdo vend dhe në çdo format", deklaroi Ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki.Poposki nuk u kursye që fajin për ngecjen e bisedimeve rreth çështjes së emrit t'ia adresojë plotësisht Greqisë."Ne historikisht kemi qenë në situatë të respektojmë marrëveshje të imponuara në bazë të kontesteve të paramenduara. Edhe përskaj tyre, ne jemi të hapur për dialog në çdo moment, dhe në çdo nivel", shtoi Poposki.Venizelos u takua me krerët më të lartë të shtetit maqedonas. Ndërsa konferencën për mediat e zhvilloi në qendrën e Informimit të BE, ku i kujtoi politikës maqedonase se porta për të hyrë në NATO e familjen europiane kalon nga Greqia.