"Heroi", premierë në 6-vjetorin e Pavarësisë në Kosovë
Kinemaja ABC në Prishtinë me rastin e 6 vjetorit të ditës së pavarësisë në Kosovë shfaqi filmin me metrazh të gjatë "Heroi", një film që paraqet jetën e ushtarëve të zhgënjyer të UÇK pas përfundimit të luftës, shkatërrimit të idealeve të tyre nga një grup politikanësh karrieristë në mes të të cilëve lulëzon korrupsioni. Në promovimin e filmit, të pranishëm ishin personalitete të larta të kulturës dhe artit në Kosovë, si dhe përfaqësues të mediave. Filmi shqiptar 'Heroi' është një projekt serioz filmi që trajton në thellësi dramën me të cilën luftëtarët e UÇK-së u përballen në përditshmërinë e tyre pas përfundimit të luftës. Skenat pasqyrojnë me nota dhimbjeje jetën e qytetarëve të Kosovës gjatë dhe pas luftës, por në veçanti trajtohet jeta e pasluftës e të gjithë atyre shqiptarëve që kontribuuan me gjakun dhe luftën e tyre në çlirimin e vendit. Lufta ka përfunduar. Ushtari i quajtur Shëmb kthehet nga lufta në shtëpi. Shumë njerëz vijnë për ta nderuar dhe falenderuar për sakrificën e tij gjatë shpëtimit të popullatës në lufë. Por, me kalimin e kohës, sakrifica e tij harrohet dhe gjërat fillojnë të ndryshojnë.Ai vazhdon të jetojë në kushte mjaft të vështira jetese, në një tendë e cila është dhuratë nga organizatat humanitare. Ai është i zhgënjyer nga mënyra se si një grup i vogël politikanësh dhe biznismenësh karrieristë i shfrytëzojnë idealet dhe sukseset e tijë gjatë luftës, për të fituar para, pushtet dhe kontroll mbi popullatën.Regjisori dhe skenaristi i talentuar i filmit Jeton Kryeziu shprehet: "Kryepersonazhi i filmit "Heroi" del të jetë vetëm njëri prej idealistëve të një lufte të tmerrshme, të cilin, paslufta e shndërroi në personazhin, tiparet e të cilit, nuk e kishte pandehur se do t'i gjente ndonjëherë tek vetja e tij. Një luftëtar i zhgënjyer. Humbës i paqes. Një bartës i një sindrome të pashërueshme, asaj të luftëtarit, dhimbja e të cilit vazhdon në Ballkan. Ai më kot përballet me realitetin e krijuar duke shpresuar për ditë më të mira."Ideja e filmit është që njerëzit lindin të gjithë të barabartë dhe të njëjtë. Por është shoqëria ajo që i formon karakteret. Shndërrimi i karakterit të mirë të tyre, nga rrethanat që i obligojnë ata të bëjnë edhe punë të këqija, pra transformimi i tyre."Dashuria, ndershmëria dhe sinqeriteti i tij gjunjëzohen përpara problemeve ekonomike, të cilat Heroit ia imponojnë raportet familjare dhe marrëdhëniet shoqërore në përgjithësi. Megjithëse ai mundohet t'i mbijëtojë realitetit të krijuar pas luftës, ai mbetet i vetmuar me idealet dhe ëndrrën e tij. Ai humb punën duke mos gjetur më, derisa humb edhe familjen si rezultat i parimeve të tij për jetë të ndershme dhe të bukur, duke u munduar të mbrojë moralin dhe identitetin njerëzor.Personazhi Heroi (nga i cili edhe filmi mban titullin) i është besuar aktorit tonë të njohur në botë Arben Bajraktaraj. Ky aktor është i njohur me rolet e tij të realizuara në filma ndërkombëtar "Taken", "Harry Potter", "Sex Traffic", etj., mjeshtri shqiptar i aktrimit Enver Petrovci dhe shumë aktorë të tjerë të suksesshëm. Me një drejtor fotografie si Roger Simonsz, i njohur me punët e tij si drejtor fotografie dhe operator me aktorë të shumtë hollivudian, si Meryl Strip, Antonio Banderas, Jennifer Lopez, Jecky Chen, etj., filmi ka një cilësi të mrekullueshme, skenat e tij duken si skena të ndonjë filmi të Stiven Spielberg por në fakt janë pjesë e një filmi shqiptar. Filmi parashikohet të jepet për më shumë se një muaj në kinematë e Kosovës.