Venizelos, Daçiç: Serbia do të bëhet pjesë e BE-së deri më 2020

Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç kanë shfaqur shpresën se Serbia do të bëhet pjesë e BE-së deri më 2020."Do të bëjmë çdo gjë, edhe pse ndodhemi në fushatën parazgjedhore, që Serbia të mos ngec në procesin e integrimeve evropiane dhe reformat që duhet t'i bëjë, si dhe në dialogun me Prishtinën”, citojnë mediat e Beogradit deklaratën e Daçiç pas takimit me Venizelos.Ministri i Jashtëm grek është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliç. Ai ka premtuar mbështetjen e Greqisë për Serbinë në rrugën drejt BE-së.Të mërkurën, Venizelos do të qëndrojë edhe në Prishtinë. Greqia, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, është njëri nga pesë vendet anëtare të bllokut që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.Në kuadër të turneut rajonal, Venizelos do të qëndrojë edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë dhe Maqedoni.Ndalesa në Shqipëri do të jetë menjëherë pas vizitës në Kosovë, me 20 shkurt.Kjo është hera e parë që Zv.kryeministri grek zhvillon vizitë në Tiranë pas marrjes nga Greqia të presidencës së Bashkimit Europian ndërkohë që Shqipëria pret në qershor marrjen e statusit të vendit kandidat.Gjatë vizitës së tij në Tiranë, zyrtari i lartë grek do të takohet me krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare, ku në fokus të takimeve do të jetë proçesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.