Ahmeti: BDI e gatshme për zgjedhje të parakohshme

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar sot se partia e tij është e gatshme për të hyrë në garën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Këtë deklaratë ai e bëri në takimin me ambasadorin suedez në Shkup, Mat Stefanson."Në lidhje me zgjedhjet eventuale të parakohëshme parlamentare, kryetari Ahmeti foli rreth angazhimeve të shumta të të gjitha strukturave të BDI dhe mobilizimin maksimal drejt shqyrtimint të situatës së krijuar dhe sjelljen e vendimit të duhur, por nënvizoi gatishmërinë e partisë që në çdo kohë të të hyjë në proces zgjedhor. Cili do që të jetë vendimi i BDI, ai vendim do të jetë në të mirën e vendit dhe të qytetarëve si dhe në përputhje me përpjekjet për integrim sa më të shpejtë euroatlantik të Maqedonisë", theksohet në deklaratën për media të BDI-së.Kryetari Ahmeti ritheksoi qëndrimin e partisë së tij për zgjedhjen e një presidenti të pranueshëm për dy komunitet shumicë në këtë vend i cili do të përfaqësonte të gjithë qytetarët e venndit si dhe do të angazhoheshte drejtpërdrejt për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.Ambasadori i Suedisë theksoi që vendi i tij është mik shumë i madh i Maqedonisë dhe shpreson që sa më shpejt ta shohë Maqedoninë të integruar në strukturat EuroAtlantike.Ambasadori shprehu interesim rreth proceseve integruese të vendit, zgjedhjeve presidenciale si dhe rreth paralajmërimëve për zgjedhje eventuale të parakohshme parlamentare.Ndërkohë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi i ka bërë thirrje direkte kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti nëse do ti bojkotojë apo jo zgjedhjet presidenciale.“Është e pamundur që të jap përgjigje për shkak se kam vështirësi të mëdha për shkak se oponenti im politikë Ahmeti më ngjan si një mjegull e humbur, nuk ka asnjë pikë të kontaktit me realitetin. Për këtë arsye kam vendosur që sot të kërkoj direkt prej tij, prej Ahmetit që ai të del me qëndrim ‘A do ti bojkotojnë zgjedhjet presidenciale BDI-ja’ dhe pastaj do ta dëgjojnë qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare”, theksoi Thaçi.Ai tha se si lider i PDSH-së nuk mundet të prononcohet në mënyrat e rrejshme të bërit politikë duke shtyrë një shoqatë joqeveritare, që është satelit pa drita i tyre, për të bërë bojkot te shqiptarët që ti bojkotojnë zgjedhjet parlamentare.“Nëse ata dalin me qëndrim politikë të vërtetë për këto zgjedhje, atëherë do të dëgjojnë edhe qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare. Brengosëse është për mua që në vend që ata të merren me telashe të mëdha që i kemi si shqiptarë, mohimin e të drejtave që na bëhen me diskriminimin politikë dhe ekonomik, ata flasin për një çështje e cila s’ka asnjë kontakt me ecjen përpara të të drejtave tona. Definitivisht duhet të sqarojë para publikut, se kandidati konsensual që e përmend Ahmeti është maqedonas, nuk ka të bëjë me shqiptarët. Përfundimisht duhet të kemi një qëndrim të vërtetë politik nga ana e tyre”, theksoi lideri i PDSH-së.I pyetur nëse ka pasur takim me Ahmetin pas ftesës për bashkëpunim, kryetari i PDSH-se deklaroi:“Jo ajo është e kaluara, ata patën një afat që të prononcohen apo të japin përgjigje për këtë çështje. Mos prononcimi i tyre në atë afat të caktuar u kuptua se ata nuk pajtohen me këtë dhe tash normalisht do vazhdojmë si dy parti të veçanta dhe konkurrente”.