Korçë, sekuestrohet 307 kg marijuanë

307 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar nga sektori kundër narkotikëve në komisariatin e Korçës, ndërsa janë arrestuar edhe 3 trafikantë të saj. Policia lokale bën me dije se falë operacionit të koduar “Stafeta”, janë vënë në pranga Deni Shani 34 vjeç, Aleks Kreshpanji 44 vjeç dhe Gramoz Vila 43 vjeç që të gjithë nga rrethi i Korçës.Nga informacionet mësohet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin organizonin transportin e lëndës narkotike, të cilën e siguronin në fshatin Lazart drejt  Korçës, për të kryer më pas kalimin e saj për në shtetin grek.Aktualisht nga forcat e policisë Korçë janë shpallur në kërkim edhe 2 persona të tjerë, të cilët janë identifikuar, si pjesë e këtij trafiku, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 3 automjete, 9 aparate celularë, peshore elektronike, qese natribani si dhe një sasi e konsiderueshme lekësh.Pika e kalimit kufitar Kakavijë mbetet  vendkalimi më tepër i përdorshëm nga trafikantët, të cilët kryejnë transportin e saj drejt shtetit grek, ndërkohë që gjatë ditëve të fundit janë shënuar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme lënde narkotike, edhe në Vlorë por edhe në qarkun e Korçës, e cila trafikohet drejt Italisë, por edhe Greqisë. Në të gjitha rastet, lënda narkotike është siguruar në fshatin Lazarat të Gjirokastrës.