Linja distributorësh apo rrjetë merimange? Asnjë subjekt nuk ka sistemuar kabllot

Të gjitha rrugët në qytetin e Korçës të japin përshtypjen e një rrjete merimange dhe kjo si pasojë e kabllove të çdo lloj operatori të cilat gjenden të varura në çdo lloj forme dhe pa asnjë ndërhyrje sistemimi.

Situata bëhet më problematike në lagjet e periferisë ku rreziku është tepër i lartë, pasi shumë prej tyre përcjellin rrymat e energjisë elektrike. Banorët shprehen se disa herë i janë drejtuar subjekteve apo kompanive përkatëse për sistemimin e tyre, por ende nuk është kryer asnjë ndërhyrje.

Ankesat shkojnë edhe në adresë të Bashkisë Korçë, ku sipas tyre ky institucion për vite me rradhë vetëm ka premtuar zgjidhje dhe nuk ka marrë asnjë masë.

Drejtoria e Shërbimit Publik në Korçë shumë herë ka bërë me dije se do të kujdeset që në bashkëpunim me distributorët e kompanive të caktuara ta bëjë rregullimin e tyre, por në fakt në zyrat e saj nuk ka asnjë projekt konkret deri më tani.