Falja e gjobave nga qeveria për periudhën elektorale, KVV: Nisma e paplotë
Nisma për faljen e gjobave përgjatë periudhës elektorale është e paplotë, pa vënien përpara përgjegjësisë të shkelësve të ligjit. Kështu deklaron Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, i cili përmes një deklarate bën me dije se u njoh nëpërmjet medias me nismën e Qeverisë Shqiptare[1] për faljen e gjobave tatimore ndaj biznesit, si një premtim elektoral i bërë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.Koalicioni mori kontakt me Ministrinë përkatëse për të siguruar një kopje të plotë të projektligjit “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna nga kontrollet dhe verifikimet tatimore të kryera për periudhën 1 Mars 2013 deri më datë 31 Gusht 2013”, por arriti të siguronte vetëm informacionin që është publikuar në media si dhe informacionin për miratimin e këtij projektligji në mbledhjen e qeverisë gjatë kësaj jave[2].Projekligji që i është bërë i ditur medias përmban vetëm 7 nene ku përcaktohet se “të gjithë personat juridikë e fizikë, të regjistruar si tatimpagues në administratën tatimore, përfitojnë faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave të vendosura nga inspektorët tatimorë nëpërmjet kontrolleve apo verifikimeve tatimore të çfarëdo lloji, të kryera për periudhën nga data 1 Mars deri në datën 31 Gusht 2013”.Gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore në Zgjedhjet Parlamentare të 23 qershorit 2013, Koalicioni në Raportet e tij të Ndërmjetme të Monitorimit evidentoi si shkelje këtë premtim të bërë nga opozita e atëhershme, si një premtim, i cili, në formën se si u formulua dhe u pasqyrua në media, ishte një premtim jo korrekt që binte ndesh me parimin e barazisë përpara ligjit[3] si dhe anashkalonte kuadrin ligjor e institucional duke vënë pikëpyetje mbi vazhdimësinë institucionale e zbatimin e ligjit[4].Kuadri ligjor shqiptar e veçanërisht Kushtetuta, Kodi Penal dhe Kodi Zgjedhor parashikojnë ndalimin e të gjitha formave të presionit, abuzimit apo diskriminimit për arsye elektorale, bindje politike apo përkatësie partiake.Në lidhje me përmbajtjen e këtij projektligji, për aq sa u bë e mundur që të sigurojë informacion nga mediat, Koalicioni i tërheq vëmendjen Qeverisë Shqiptare për ta plotësuar më tej atë apo të ndërmarrë edhe hapa të tjerë, në funksion të nismës dhe argumentimit politik mbi të cilën po ndërmerret miratimi i këtij projektligji.Çështë më e rëndësishme, kjo nismë duhet të jetë konform kuadrit ligjor ekzistues dhe të përçojë frymën e respektimit të plotë dhe të zbatimit pa ekuivok të ligjit ndaj të gjithë abuzuesve apo formave të presionit të shfaqura dhe të ndërmarra ndaj qytetarëve gjatë proceseve zgjedhore, në kundërshtim me të drejtën e tyre të pamohueshnme për të zgjedhur, aderuar apo simpatizuar platformat apo partitë politike, kushdo qofshin ato.Projektligji i hartuar ngre pikëpyetje jo të vogla në përmbajtjen dhe zbatimin e tij, madje krijon premisa aspak pozitive të marrëdhënieve të biznesit me ligjin, me institucionet shtetërore dhe me partitë politike sidomos gjatë periudhave elektorale.Konkretisht, Koalicioni sjell në vëmendje të Qeverisë Shqiptare:Së pari, nëse Qeveria Shqiptare apo mazhoranca ka fakte konkrete mbi punonjës tatimorë që kanë vendosur gjoba në mënyrë abuzive ndaj bizneseve, duhet t'i bëjë ato publike pikërisht në pjesën e argumentimit se pse po miratohet ky projektligj.Në vijim, ajo duhet të ndërmarrë hapat e duhur për t'i çuar këta punonjës së administratës shtetërore përpara organeve të drejtësisë.Në mungesë të fakteve ligjore, Qeveria i ka të gjitha tagrat për të faktuar këtë abuzivizëm të punonjësve tatimorë, dhe duhet sa më parë ta shoqërojë miratimin e këtij projektligji me vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo punonjësi apo drejtuesi që shkel ligjin, abuzon apo përdor autoritetin shtetëror për të bërë presion elektoral.Së dyti, nëse kuadri ligjor është i tillë që krijon premisa apo lë shteg që punonjësit tatimorë të mund të vendosin gjoba në mënyrë abuzive, atëherë mazhoranca duhet së pari të marrë masa për përmirësimin e legjislacionit respektiv, dhe në funksion të kësaj mangësie të ligjit të mund të ndërmarrë edhe faljen e gjobave ndaj biznesit, i cili në një rast të tillë duhet patur parasysh se ka qenë i ekspozuar ndaj këtij “ligji të padrejtë” që prej miratimit të tij dhe jo vetëm gjatë periudhës që mbulon ky projektligj.Edhe në rastin kur nga apelimi i këtyre gjobave pranë hallkave përkatëse nga vetë subjektet e gjobitura, ështe evidentuar se ka mangësi në procedurat ligjore që sigurojnë të drejtën për një apelim të këtyre gjobave në mënyrë të drejtë dhe të efektshme, Qeveria duhet të adresojë pikërisht plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor respektiv, ose në të kundërt, vënien përpara përgjegjësisë të titullarëvë që kanë bërë joefikas sistemin e apelimit të parashikuara në procedurat tatimore.Së fundmi, Koalicioni ngre shqetësimin se ndërmarrja e kësaj nisme në mënyrë të paplotë, do të legjitimojë pandëshkueshmërinë dhe abuzivizmin për arsye elektorale ndaj biznesit edhe në të ardhmen.Në vetvete kjo nismë është e ngjashme me falje të mëparshme të cilat nuk zgjidhin në mënyrë të qëndrueshme sjelljen abuzive ndaj biznesit, por një qasje e tillë e Qeverisë kur bëhet fjalë për abuzim me motive politike dhe elektorale, për më tepër përgjatë periudhës zgjedhore, krijon një një precedent mjaft negativ në marrëdhënien që duhet të ketë biznesi me institucionet shtetërore dhe ligjin.Kjo marrëdhënie nuk ka pse të kalojë nëpërmjet shërbimit apo lidhjeve me partitë politike, kushdo qofshin ato, në dëm të funksionimit normal dhe korrekt të institucioneve shtetërore dhe në dëm të funksionimit të ligjit.Madje, në kushtet e një kuadri të paplotë ligjor mbi transparencën dhe financimin e partive politike, ndërmarrja e nismave të këtilla përbën potencialisht një problem serioz për sigurinë dhe të ardhmen e biznesit, në dëm të ndërtimit të një shteti ligjor dhe të së drejtës që garanton katërcipërisht zhvillimin normal dhe të arrirë të proceseve zgjedhore.