Ish-pronarët dhe “Ligji”

Prona ka qenë lajtmotivi i shumicës së shqiptarëve këto njëzet vitet e fundit. Jo vetëm ish-pronarët, por të gjithë shqiptarët vazhdojnë të vuajnë mosfunksionimin e këtij institucioni të së drejtës. Doing Business na rendit për 2014-ën në vendin e 120-të, nga 190 vende, për çështjet e pronës, pavarësisht se çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij dhe se askush nuk mund të privohet nga prona, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare (Neni 1, Protokolli 1 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut).Në Shqipërinë postkomuniste, ligji nr. 7698/1993 përbën përpjekjen e parë për t’i dhënë zgjidhje, megjithëse me disa kufizime, çështjes së pronave, të shtetëzuara, të shpronësuara apo të konfiskuara pa të drejtë, sipas akteve ligjore, nënligjore e vendimeve të gjykatës, të dala pas datës 29 nëntor 1944. Njëkohësisht u krijuan Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Bashkitë dhe ish-Këshillat e Rretheve.Republika e Shqipërisë miratoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vitin 1996 dhe, pas miratimit të Kushtetutës në vitin 1998, ligjvënësi shqiptar u angazhua për adoptimin e standardeve të reja për garantimin e të drejtës së pronës. Standarde që kanë të bëjnë me interesin publik dhe shpërblimin e drejtë si dhe me respektimin e parimeve të drejtësisë, të proporcionalitetit dhe të shtetit social, duke hartuar ligjin e ri të pronës nr. 9235/2004. Ligji i ri rriti kufirin maksimal të sipërfaqes së tokës bujqësore për njohje, kthim apo kompensim, zgjeroi mënyrat e kompensimit, vendosi detyrimin për krijimin e fondit të pronave të paluajtshme për kompensim fizik si dhe detyrimin për krijimin e fondit për kompensimin financiar.Sipas dispozitave ligjore, Komisionet duhej të merrnin në shqyrtim kërkesat e ish-pronarëve brenda 60 ditëve dhe vendimet e tyre mund të kundërshtoheshin vetëm nga gjykatat, brenda afatit 30- ditor të përcaktuar në ligj. Por, për fat të keq, faktet treguan se ish-pronarët u bënë subjekt vitesh të tëra pritjeje, (në kundërshtim me dispozitat ligjore) dhe për shumë prej tyre vendimet pozitive, të ish-Komisioneve të Pronave, megjithëse Tituj Ekzekutivë, u bënë subjekt rishikimi nga Agjencia e Përgjithshme e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (konform nenit 116 të ligjit, i cili u shpall me të drejtë antikushtetues më 2010), duke zgjatur kalvarin e pronarëve në rastin më të mirë me tri- katër vite.Pavarësisht kalimit të viteve mbeten për t’u shqyrtuar ende rreth 6000 dosje për kthim ose kompensim të pronave, pronarëve.Si pasojë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, deri më 2012 kishte dhënë mbi 20 vendime kundër Shqipërisë dhe ishin në pritje për shqyrtim edhe 76 çështje të tjera). Fatura financiare që rëndon mbi shtetin shqiptar për vendimet e mësipërme shkon në miliona euro.Ndër të tjera, GJEDNJ vëren se zvarritja e realizimit të pagesës së kompensimit financiar pengon zbatimin e të drejtës së pronarëve, të fituar pranë saj. GJEDNJ vlerëson se mosekzekutimi i vendimeve të komisioneve rajonale vendase dhe të gjykatës kanë krijuar për ish-pronarët një gjendje pasigurie juridike, lidhur me gëzimin e të drejtave të tyre të pronësisë; Procedurat civile të gjykimit kanë tejkaluar afatin e arsyeshëm kohor sipas kërkesave të nenit 6 të Konventës. Në këtë pikë do të donim të nënvizonim evidentimin nga ana e Gjykatës së Strasburgut të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike; themeli ku mbështetet iniciativa private.Më pas Gjykata Evropiane vazhdon: “Autoritetet kombëtare kanë detyrimin të ndërmarrin – me fuqi prapavepruese, nëse është e mundur – masat e nevojshme për rivendosjen e së drejtës së shkelur, në përputhje me parimin e subsidiaritetit të Konventës, në mënyrë të tillë që Gjykata të mos rigjejë shkelje të përsëritura”.Po sa i ka marrë parasysh shteti shqiptar këto rekomandime?!-Tejzgjatja e procesit dhe afateve të gjykimit mbi çështjet e pronave nuk ka pasur kurrfarë ndërhyrje apo përshpejtimi.-Banka Botërore, në një ndër raportet e saj për çështjen e pronës në Shqipëri, parashikon që me ritmet e deritanishme të shtetit, kompensimi financiar i pronarëve të ligjshëm ka gjasa të përfundojë pas 30 vitesh. Pra parashikohet, nëse nuk ndryshon impostimi qeveritar, do të kemi për një kohë të gjatë probleme të sigurisë juridike, të lidhura me pronën me të gjitha efektet negative socio-ekonomike që burojnë prej këtej.-Për më shumë, absurdi i ligjvënësit shqiptar vazhdon me Aplikimin dhe kohëzgjatjen e ligjit nr. 7501/1991 përtej çdo parimi që mbështet kthimin e pronave ish-pronarëve, duke konsideruar të pakthyeshme pronën, nëse ajo është dhënë në përdorim. Dhënia në përdorim e tokave bujqësore nuk dihet ende nëse ka qenë apo është pjesë e ndonjë politike zhvillimi, që të justifikojë moskthimin e pronave për arsye të ndonjë interesi apo të mire publike. Por, ajo që ne shohim sot, kudo në Shqipëri janë tokat djerrë, të lëna pa punuar nga përfituesit e këtij ligji absurd (duke konsideruar edhe se, po me dispozita ligjore, shumë prej përdoruesve u lejuan të bëhen pronarë).-Për më tepër, pa përfunduar ende procesi i kthimit dhe kompensimit ka nisur procesi i legalizimit, përtej çdo parimi mirëbesimi ndaj ish-pronarëve që vazhdojnë të presin nga shteti, paqësisht, kthimin e pronës.Pra kemi një situatë tragjikomike ku i dëmtuari, ish-pronari, duhet të shpresojë që të ngelet ndonjë hapësirë bosh, për të patur mundësinë që të futet në “radhët” e së drejtës.Duke e përmbyllur, situata që përvijohet është dramatike për ish-pronarët, me kohëzgjatjet artificiale pafund të procesit të kthimit dhe kompensimit, me aprovimin e ligjeve që bien ndesh me njëri-tjetrin etj.Të gjithë këta precedentë, në mosrespektimin e parimeve të së drejtës reale mbi pronën, dhe kjo mbivendosje ligjesh në kundërshti të njëri-tjetrit, duhet të na bëjnë të reflektojmë dhe t’i japim fund kësaj anarkie juridike që passjell pasoja në fushat e tjera të jetës. Duhet të kuptojmë që një shoqëri të ecë para dhe të zhvillohet, sidomos në ekonominë e tregut, e ka të domosdoshme respektimin e të drejtës së pronës dhe sigurisë juridike si parime bazë që bëjnë të mundur amalgamën dhe rregullin shoqëror.*PhD. Private European Law /Burimi: mapo.al/