Basha nga Shkodra: Marshimi ynë për t’i vënë kufij gënjeshtrës, paaftësisë, arbitraritetit

Nga qyteti i Shkodrës, kreu i opozitës, Lulzim Bashka bëri thirrje për pjesëmarrje të rinisë shkodrane dhe shqiptarëve në protestën e 20 shkurtit, kundër çiftit Rama-Meta. Kreu i demokratëve tha se shkodranët duhet të dalin në protestë kundër premtimeve të pambajtura të qeverisë Rama.

Lulzim Basha premtoi një protestë paqësore, ashtu siç edhe demokratëve iu ka hije tha ai, ndërsa shtoi se protesta do të jetë një leksion për pushtetarët.

Kryetari i opozitës u shpreh gjithashtu se nuk ka qeveri që i bën rezistencë bashkimit të popullit, e cila sipas tij vetëm sa kërkon zbatimin e ligjit.

Fjala e plotë

Dhe ja po takohemi sërish, me një entuziazëm  të madh, tipik për Partinë Demokratike këtu në Shkodër por të jashtëzakonshëm, takohemi në atmosferën e një  ringjalljeje dhe shpërthimi të fuqishëm të shpresës, si të mos kenë kaluar vetëm  katër  javë, por shumë me tepër që kur u takuam për herë të fundit. Ju mund ta dini dhe sigurisht e dini më mirë se unë  në tërësi  të vërtetën e këtij   ndryshimi kaq të shpejtë,  kaq prekës dhe kaq frymëzues. Më lejoni të them përshtypjen time, mendimin tim, pse jo bindjen time për këtë. Është rinia. Po vjen  rinia. Ka ardhur rinia. Ja, kjo rini e bukur, e çiltër, e  mësuar, e kultivuar, e vendosur, bashkëkohore, moderne, atdhetare, shqiptare, europiane që shohim në këtë sallë  dhe përtej mureve  të kësaj salle anembanë Shkodrës, anembanë Shqipërisë.

Brezi i ri po vërshon në dyert e hapura të shtëpisë së madhe të lirisë të Partinë Demokratike. Ky  është  lajmi më  i mirë jo vetëm për demokracinë  anembanë vendit, por për demokracinë dhe për shpresën  shqiptare në këtë kohë  të zymtë kur  vendi bombardohet çdo ditë me lajme që flasin  vetëm për përkeqësim të  gjendjes ekonomike dhe shoqërore, vetëm për rënie të treguesve të  punësimit, zhvillimit, konsumit, investimeve, vetëm për rritje  në krahun tjetër të treguesve  të varfërisë,  krimit, trafiqeve, drogës, korrupsionit; vetëm për  rritje të rreziqeve që kërcënojnë gjithmonë e më shumë aspiratën mbarëpopullore të  integrimit të vendit në Europë dhe vetë demokracinë  në kolonat  e saj të  ligjit, të drejtave dhe lirive.

Prapa këtij realiteti  gjithnjë e më dramatik është  qeveria Rama-Meta e cila tallet sa bukur ua hodhi shqiptarëve me premtime kallpe. Është qeveria  që përzien çdo ditë  ngjyrat e bojërave të dala boje  për qeverisjen propagandistike. Qeveria që provokon dhe tenton me të gjithë format e paligjshmërisë dhe pandershmërisë të  pushtojë administratën publike, të kapë institucionet, të kapë shtetin, të  zhbëjë gjithçka  kemi arritur këto vite me Kushtetutë, ligj, demokraci dhe konsensus. Qeveria që kërkon të  kthejë prapa demokracinë, të vendosë  oligarkinë me para të pista dhe vota të blera mes tyre,  me  deputetë të peshkuar në format më të neveritshme të poshtërimit të votës së lirë dhe dinjitetit të qytetarëve. 

Rinia e ka kuptuar, shqiptarët i madh e i vogël e kanë kuptuar dhe po e kuptojmë: Rilindja  doli  rrenë! Puna e Rilindjes ishte loja, dhe kjo lojë s’ka të bëjë fare me hallet dhe problemet e shqiptarëve, me dëshirat dhe projektet e shqiptarëve, me të ardhmen e shqiptarëve, me të ardhmen tuaj,  por vetëm me interesat e ngushta të  atyre që e nxorën në tregun e politikës  si Kalin e Trojës.

 Prandaj po vërshon  rinia në partinë më të madhe të opozitës; prandaj po ngrihet e do ngrihet kudo fryma e protestës së fuqishme  qytetare; po ngrihen njerëzit e lirë, po ngrihen populli  shqiptar, që në të mirë  e në të keqe,  e ka bërë shkollën e demokracisë gjatë këtyre dy dekadave. Kanë njohur e shijuar frytet e demokracisë  gjatë këtyre viteve  dhe nuk pajtohen  në asnjë mënyrë  as me  shartime neoenveriste, as me kthim prapa të demokracisë shqiptarë për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë.

Shkodra, jo vetëm nuk do të mungojë    vërshimin e madh të rinisë shqiptare drejt Partisë Demokratike, në zgjimin  e madh të shpirtit të lirë  protestues të shqiptarëve, por, më lejoni ta them me bindje dhe zë të lartë:

Shkodra nuk mund të mos jetë e para! E ka detyrë ndaj të parëve, brezave dhe së ardhmes që të jetë e para.

E para për ringritjen, e para për shpresën, e para për të ardhmen,  e para, pse jo, edhe në marshin e protestës popullore të   përkujtimit  dhe protestës që kemi thirrur në Tiranë  këtë të enjte, në 23 vjetorin e rrëzimit të  monumentit të  Enver Hoxhës si  personifikim dhe simbol  i diktaturës gjysmëshekullore.

20 shkurti i vitit 1991  është një  ngjarje e  shënuar në historinë e demokracisë  dhe qytetarisë shqiptare. Në këtë ditë rinia, studentët  dhe njerëzit e lirë vërshuan në sheshin  “Skënderbej”  dhe duke sfiduar me trimëri të rrallë  dhunën policore,  rrëzuan përmendoren hijerëndë  të atij që e kishte rrëzuar në mundime,  në mjerim dhe  izolim të papërshkrueshëm  popullin  e vetë gjatë sundimit të tij gjakatar.  Ishte përmbysja e madhe, ndarja  e madhe dhe drejtësia e madhe me diktatorin që vetëm populli i lirë mund ta bëjë dhe e bëri.

Nga Shkodra, përkulemi me  nderim dhe respekt  të thellë para atyre qytetarëve, para rinisë së Tiranës, para  të gjithë atyre burrave dhe grave që u mblodhën në sheshin “Skënderbej” atë ditë, para  qytetarëve trima e kurajozë që kanë shënuar emrat  e tyre në panteonin e historisë kombëtare si njerëzit që  rrëzuan monumentin e Stalinit të Shqipërisë.

“Lirinë e meritojnë vetëm ata që përballen çdo ditë për të”, thotë një sentencë  e njohur.

Koha që po jetojmë, me  qeverinë Rama-Meta në pushtet që ka tendencën e qartë  për t’u instaluar jo si një  qeveri normale e përgjegjshme, por si një oligarki antidemokratike,  na thërret të  ngrihemi, të  dalim në shesh, të tregojmë forcën e opozitës dhe të  Shqipërisë  së lirë për t’u dalë zot lirive të  rrezikuara e ligjit të dhunuar,  për të mbajtur hapur me çdo kusht rrugën e Europës, për të  demaskuar me  fuqinë e bashkimit  mashtrimet dhe dështimet e qeverisë,  për të ndaluar me sa kemi në dorë rrokullisjen dhe  krizën e gjithanshme, para se kriza e gjithanshme para se ta këtë zënë  vendin dhe qytetarët nën gërmadhat e saj. 

Kryeministri nuk është padroni i këtij vendi por një i punësuar i tij. Për ketë do të marshojmë të enjten. Ti tregojmë kufijtë arbitrares, gënjeshtrës dhe paaftësisë. Për ne është i qarte roli i pushtetarit, për vllazninë antishtet jo. Të gjithë në shesh, si europiane te vendosur, ti japim një leksion demokracie oligarkëve të rinj. Protesta do jete paqësore, do të jetë dinjitoze, ashtu siç i ka hije Shqipërisë, siç i ka hije demokratëve, siç i ka hije mijëvjeçarit te ri, Shqipërisë moderne europiane që ne përfaqësojmë e që do të përfaqësojmë gjithmonë.

Si gjithmonë, dua të jem shumë i hapur me ju, zonja dhe zotërinj shkodranë, vëllezër dhe motra demokratë dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë. Me premtimet e tij kolosale për vota, të cilat  i braktisi   sapo hodhi lumin, Edi Rama ka vendosur një rekord që nuk e kemi parë në asnjë  demokraci në botë. Ai e bëri këtë duke shkuar me mendimin se ajo që demokracia e quan kontratë vote është një rreckë, se populli ka qejf të gënjehet, se populli harron, por edhe nëse nuk harron, nuk ka çfarë bën se nuk më kap dot në zyrat e mia!

Me marshimin tonë të protestës, ne u krijojmë  mundësinë  çdo qytetari, gjithë kategorive  të qytetarëve shqiptarë që e  gjejnë  vetën e tyre  në serinë e  mashtrimeve të njohura elektorale të Edi Ramës të dalin dhe ti thonë  atij me zërin e  fuqishëm   bashkimit se nuk kemi harruar ne, por ke harruar ti mashtrues, nuk jemi  gënjyer ne por ke gënjyer ti gënjeshtar, na ke borxh, duhet të  mbash fjalët ose të kthesh votat që ke marrë, që nuk ti kemi dhënë për revansh, por për të  na bërë legalizimet  falas, shëndetësinë falas,  çmime  të ulura, vende  te reja pune,  e tjerë e tjerë premtime me të cilat mori votat.

 Marshimi kundër mashtrimeve është  një mësim, një leksion që  politikanët  duhet ta mësojë sot e përgjithmonë,  është  vendosja  e  një vije të re, e një raporti të ri midis popullit  dhe politikës  me qëllim që të marrë fund praktika e shëmtuar e  mashtrimeve elektorale për vota. Duke bërë këtë, populli, qytetarët po   hapin rrugën e tyre drejt së ardhmes. Ata që nuk e bëjnë  i japin qytetari gënjeshtrës , i japin shtetësi mashtrimit, dhe s’kanë pse të presin ditë të mira. Dua të  vazhdoj të jem i hapur me ju si kryetari i ri i opozitës,  si një politikan i  brezit të ri që ka një ëndërr për ta parë Shqipërinë në Europë dhe për  të vendosur  në vend demokracinë e re, demokracinë pjesëmarrëse si një element i munguar i demokracisë së derisotme.

Opozita është një forcë e madhe,  por jo gjithnjë forca  në demokraci. Ne kundërshtuam me forcën e argumenteve Aktin Normativ për Nëpunësin Civil, përshembull. Nuk e fituam këtë  betejë në Kuvend, ku për fat të keq argumenti vazhdon të jetë bira e fundit e kavallit. E vazhduam betejën në Gjykatën Kushtetuese dhe e fituam.  Por  Rama-Meta, siç dihet botërisht, siç e dini edhe ju, atë që  nuk e  morën dot me një akt antikushtetues duan ta marrin me një ligj antikushtetues dhe antikonsensus duke rrezikuar seriozisht marrjen e statusit edhe në qershor. Opozita ka detyrimin tu  argumentoje shqiptarëve pasojat e gjithë kësaj arrogance dhe këtij  arbitrariteti  për jetën  dhe ëndrrën e tyre. Opozita ka detyrimin të zhvillojë brenda hapësirave parlamentare gjithë betejat politike në  mbrojtje të demokracisë.

Po më tej?  Si t’ja bëjmë?  Si t’i ndalojmë, kur këta as për parlament nuk pyesin, as për kushtetutë nuk pyesin, as për  konsensus nuk pyesin, as për standarde nuk pyesin, as për vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk pyesin. Përgjigja është një dhe vetëm një:  sheshi, marshimi, protesta. Kur opozita dhe populli bashkohen në  një qëllim për ligjin dhe kushtetutën, për liritë dhe të drejtat nuk ka qeveri arbitrare që t’u rezistojë. Të marshojmë të enjten!

Me rininë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me njerëzit e lirë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me  Partinë Demokratike  dhe opozitën që do t’i prij  këtij zemërimi popullor, që nuk mund të kthehet prapa, sepse demokracia  shqiptare  nuk mund ta ulë kokë, por do të lëshohet përpara shumë më e fortë, shumë më e sigurt. Demokracia është fati i popullit në duart e popullit. Këtë na kanë mësuar etërit e saj,  këtë na ka mësuar  historia, kështu  ka qenë  e  kështu  do të jetë.

  gjithë në sheshin e  krenarisë  dhe dinjitetit për të shkruar një faqe të re në historinë e qytetërimit tonë, faqen e papajtueshmërisë me mashtrimet, faqen e papajtueshmërisë me dështimet, faqen e papajtueshmërisë më vllazninë antidemokratike, antishtet, faqen e marrjes  në mbrojtje si asnjëherë tjetër  të demokracisë, që  është pasuria e më e madhe e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.