PD “moratorium” për gjobat, nisma në kuvend: Të verifikohet ligjshmëria e tyre
Opozita i ka kërkuar mazhorancës shpalljen e moratoriumit për ndërprerjen e menjëhershme të proçedurës së vjeljes së gjobave, për të gjitha shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor që janë konstatuar nga policia rrugore.Nisma është dorëzuar në Kuvend nga grupi parlamentar demokrat dhe sipas deputetit, Eduard Halimi, proçesi duhet të zgjasë deri në verifikimin e ligjshmërisë për të gjitha gjobat e vendosura ndaj qytetarëve.Demokratët kërkojnë fshirjen e gjobave nga sistemi për gjithë ata qytetarë që nuk janë njoftuar për masën administrative brenda afatit 30 ditor dhe këtë kërkesë ata e bazojnë në Kodin rrugor.Për verifikimin e të gjitha kundravajtjeve administrative, ligjshmërinë e policisë në këtë proçes, por dhe urdhrin për pengimin e lëvizjes lirisht jashtë shtetit të qytetarëve shqiptarë që kanë gjoba të papaguara, demokratët kërkojnë ngritjen e një nënkomisioni për të drejtat e njeriut pranë komisionit për çështjet ligjore.