Mandati i Bushatit, AMA: Mbaron në 2016, në përputhje me ligjin për mediat

Autoriteti i Mediave Audiovizive reagon lidhur me deklaratat e disa deputetëve mbi çështjen e mandatit të kryetares së këtij institucioni, Endira Bushati, që sipas tyre po e ushtron detyrën e Kryetares pa patur mandatin e anëtarit dhe për pasojë të Kryetarit të AMA-s.Përmes një deklarate për mediat AMA thekson se këto deklarata janë të pambështetura në ligj pasi në dispozitat kalimtare të ligjit të ri të medias, në nenin 134 të tij parashikohet:“Kryetari dhe anëtarët e KKRT-së, të zgjedhur sipas ligjit nr. 8410 datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në përfundim të afatit të caktuar në mandatin e emërimit. Vendet vakante të AMA-s plotësohen sipas përcaktimeve të neneve 8 dhe 9 të këtij ligji.”Siç del e qartë nga teksti i ligjit, ligjvënësi ka cilësuar në mënyrë specifike mandatin e kryetarit të KKRT-së nga ai i anëtarëve të KKRT-së. Kjo ndarje diktohet nga vetë rregullimi i mandateve të anëtarëve, zëvendëskryetarit dhe kryetarit të KKRT sipas ligjit të mëparshëm të medias.Konkretisht, ligji i mëparshëm kishte këtë rregullim mbi mandatet:Kryetar dhe zëvendëskryetar zgjidhej një nga anëtarët.Mandati i kryetarit dhe zëvendëskryetarit ishte 5 vjet.Mandati i kryetarit dhe zëvendëskryetarit ishte i ndarë nga mandati i anëtarit. Kur anëtari i KKRT-së zgjidhej kryetar apo zëvendëskryetar, personi i zgjedhur, gëzon mandatin si kryetar apo zëvendëskryetar.Për çdo mandat, në çdo rast lirimi zgjidhet një zëvendësues, për një kohë të barabartë me kohën që i kishte mbetur pararendësit që u lirua.Sipas këtij rregullimi, Endira Bushati, pasi është zgjedhur anëtare e KKRT-së, është zgjedhur Kryetare e KKRT-se nga Kuvendi i Shqipërisë, më 5 nëntor 2009, duke vazhduar mandatin e parardhësve. Kjo nënkuptonte që mandati si kryetare konsiderohej i përfunduar në korrik të vitit 2011, meqenëse mandati i kryetarit të KKRT-së filloi me zgjedhjen e z. Ledi Bianku në korrik te 2006. Në të njëjtën mënyrë është rregulluar dhe mandati i zëvendëskryetarit të atëhershëm, z. Alban Karapici.Me vendimin nr. 113, të 21 korrikut 2011, Kuvendi i Shqipërisë, mes anëtarëve të KKRT-së, ka rizgjedhur në pozicionin e kryetares znj. Bushati për një mandat të ri 5 vjeçar. Sipas këtij vendimi, mandati i Kryetares së KKRT-së, znj. Endira Bushati, përfundon më 21 korrik 2016.Përsa më sipër, AMA bën me dije se mandati i znj. Endira Bushati si kryetare e KKRT-së është tërësisht në përputhje me dispozitat e ligjit të mëparshëm të medias. Dispozita kalimtare e ligjit të ri garanton vazhdimësinë e mandatit të kryetarit të KKRT-së të zgjedhur sipas ligjit të mëparshëm, kjo jo vetëm në respekt të parimit të sigurisë juridike, por edhe të vazhdimësisë funksionale të institucionit.