Akti normativ për buxhetin, Kushtetuesja pranon të shqyrtojë ankimimin e PD

Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim ankimimin e Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Aktit Normativ nr. 6, datë 04.10.2013 të Këshillit të Ministrave, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 “Për buxhetin e vitit 2013”.Në seancën e sotme morën pjesë përfaqësuesit e PD dhe PS, ndërsa nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë.Pas vendimit, ish-Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në një dalje për mediat u shpreh besimplotë se gjykata Kushtetuese do ta analizojë me profesionalizëm këtë rast. Halimi theksoi edhe njëherë se akti normativ i qeverisë për të rritur borxhin në kufi historik është antikushtetues dhe rrezikon ekonominë.“Akti normativ për të rritur borxhin në kufi historik është antikushtetues, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, të drejtat kushtetuesë të qytetarëve për mirëqënie, rrënon ekonominë, prek thelbësisht të drejtën e qytetarëve për një jetë më të mirë, prek thelbësisht pagat e çdo qytetari shqiptar, pensionet, në mënyrë të padiskutueshme të ardhmen ekonomike të vendit. Është ky akt normativ që u mor në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, jashtë çdo logjike kushtetutese për një emergjencë apo nevojë, por thjesht për të marrë para borxh, për ti bërë rrush e kumbulla për zyrtarët dhe zyrat e qeveritarëve. Jemi besimplotë se gjykata kushtetuese do të analizojë me profesionalizëm këtë rast, këtë akt të paprecedentë në historinë 20 vjeçare të gjithë buxhetit në Shqipëri, ku merret borxh në kufi historik jo për investime, por për para për ti bërë rrush e kumbulla” tha ai.Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat tha se është me rëndësi që qeveria të kthehet në binarët kushtetues, në mënyrë që vendi të mos rrëshqasë drejt recesionit.“Është me rëndësi të vendoset kushtetueshmëria dhe që qeveria të kthehet në binarët kushtetues, të mos tregohet arrogante me Kushtetutën dhe ligjin, të mos tregohet arrogante me ekonominë e vendit dhe vendi të mos shkojë në reçesion dhe greminë siç po shkon çdo ditë, kjo është më e rëndësishme, Kushtetuta është më e rëndësishme” përfundoi Halimi.Në kërkesën e saj, 1/5-ta e deputetëve të PD-së thekson se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se, qeveria është e detyruar të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit.“Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Shpjegimin, qeveria është e detyruar ta pasqyrojë në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij. Nga analiza e aktit normativ nr. 6/2013, rezulton që qeveria të mos ketë evidentuar përmbushjen e kushteve të “nevojës” dhe “urgjencës” për miratimin e këtij akti. Në preambulën e aktit normativ nuk evidentohet asnjë rrethanë që të përligjë ushtrimin e këtij funksioni ligjvënës nga ana e pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye, në kushtet e mungesës së “nevojës” dhe “urgjencës”, akti normativ nr. 6/2013 bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës”, thuhet në ankimimin e PD-së.