Niveli i ndotjes në Elbasan, Kila: Analizat rezultuan brenda parametrave

Ndotja e ajrit në qytetin e Elbasanit që shkaktohet nga kompanitë që operojnë në këtë zonë, është brenda parametrave që përcakton ligji. Kështu është shprehur inxhinieri Beqir Kila, i cili ka publikuar të dhënat e analizave të marra pak kohë më parë në Metalurgjikun e Elbasanit, i cili konsiderohet edhe si një prej shkaktarëve kryesorë për situatën e krijuar.Ndotja e ajrit gjithmonë ka qenë një problem për këtë qytet dhe banorët e tij, të cilët jo pak herë kanë kërkuar ndryshim të situatës për marjen e masave qoftë nga kompanitë, por edhe nga shteti.Kulmi i ndotjes në Elbasan, shënohet prej orës 18 të mbrëmjes ,deri në 4 të mëngjesit, ku ndotja e ajrit mund të dallohet fare qartë me sy të lirë. Specialistët jo pak herë e kanë konsideruar këtë qytet si një prej më të ndoturve, për shkak të çlirimit të mbetjeve kancerogjene në hapësirë, të cilat janë tepër të dëmshme për shëndetin e banorëve.Agjensia Rajonale e Mjedisit, pak kohë më parë kërkoi nga kompanitë, respektimin e rregullave dhe vendosjen e filtrave të cilat do të minimizonin ndotjen e ajrit.