Rreziku i përmbytjeve në Lezhë, bordi i kullimit nis pastrimin e kolektorëve
Ndërhyrje emergjente, por që do të përballojë problematikën e përmbytjeve në lagjen SMT të qytetit të Lezhës.Me fondet e veta, Bordi i Kullimit ka nisur pastrimin e një kolektori kullues, i cili si pasojë e bllokimit të tij dhe mos funksionimit prej vitesh, ka krijuar probleme në evadimin e ujërave. Ndonëse me një distancë vetëm 100 metër, ky kolektor ishte kthyer në një shqetësim, pasi bllokimi i tij ishte bërë shkak edhe për përmbytjen e shumë banesave.Hapja dhe zgjerimi i këtij kolektori ka qenë një emergjencë për Bordin e Kullimit në Lezhë, kjo si një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të kësaj lagjeje. Drejtori i Bordit të Kullimit në Lezhë, Petrit Gjoni, ka bërë të ditur se ndërhyrje, po kryhen edhe në disa zona të tjera ku ka patur probleme me përmbytjet.Sipas tij, problem mbeten ndërtimet pa leje mbi kolektor, duke bllokuar kanalet kullues, duke u bërë shkaktarë kryesor të përmbytjeve në disa zona të qarkut të Lezhës, duke përfshirë këtu edhe lagjen SMT të këtij qyteti.