Në Maj NATO “pushton” Shqipërinë, Majko nga brukseli: Rasmusen në Samitin e rradhës
Në maj Tirana zyrtare do të mbajë takimin e tryezës së Ambasadorëve të NATO-s, ku do të marrë pjesë dhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës se Atlantikut te Veriut, Andres Fogh Rasmussen. Lajmin e ka konfirmuar nga Brukseli për Ora News deputeti socialist Pandeli Majko, ndërsa po merr pjesë në takimin e Komitetit të Çeshtjeve te sigurise dhe te mbrojtjes në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.“Këto janë takime që bëhen rregullisht në Bruksel me grupet parlamentare që janë pjesë e delegacioneve të vendeve përkatëse të vendeve anëtare të NATO-s në atë që quhet Asambleja e NATO-s. Takimi vazhdon akoma dhe tani që flasim në Bruksel. Në muajin maj në Shqipëri do të mbahet takimi i tryezës së Abasadorëve dhe do marrë pjesë dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Do jetë një takim përgatitor mjaft i rëndësishëm për samitin e NATO-s që mbahet këtë vit. Kjo është shprehje e vlerësimit të Shqipërisë si vend i ri anëtar i NATO-s dhe besoj se do ketë reflekset e veta dhe na rajon. Është takim që është i zhveshur nga anët formale, është kornizë konsultative.Në fokus janë çështjet më sensistive, si situata në Siri, Ukrainë, lufta kundër terrorizmit. Janë problematika që diskutohen ngushtësisht, në disa raste dhe në një kuadër më konfidencial ” tha kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Pandeli Majko.E ndërsa dje Kosova festoi plot 6 vjet shtetëformim, ish-kryeministri i asaj kohe dhe pse jo prezent në festimet atje vlerëson se ky moment e gjeti në vendin e duhur, pikërisht në tryezën ku në 1999 u mor vendimi për ndërhyrjen ushtarake, që do ti hapte rrugë formimit të shtetit më të ri në Ballkan.“Unë pavarësinë e Kosovës e kalova pikërisht në vendin e duhur. Isha në tavolinën ku u mor vendimi për fillimin e bombardimeve të Kosovës dhe mendoj që në këtë pikë nostalgjia, por dhe kujtimet e bukura bënë të veten. Tanimë bëhet fjalë për diçka tjetër, delegacioni i Shqipërisë sot ngre zërin për të bërë pjesë shtetin e re të Kosovës, pjesë të strukturave dhe të iniciativave të NATO-s në rajon”tha ai.I pyetur lidhur me protestën e opozitës në 20 shkurt, Majko u shpreh se nuk pret asgjë të jashtëzakonshme. Madje ai kërkoi nga kolegët e tij të PD të ngrenë kulturën e opozitës në një shkallë të re, pasi sipas tij këtij sistemi aq sa i duhet funksionimi i mirë i mazhorancës, aq i duhet dhe një mirëfunksionim i opozitës.“Nuk besoj që rrëzimi i një busti vite më parë, apo përvjetori i rrëzimit të një busti mund të kthehet në një institucion të riformimit të kulturës opozitare në Shqipëri. Kolegët e mi në PD duhet të ruhen të mos bëhen opozitë e njerëzve të mërzitur, por ta ngrenë kulturën e opozitës në një shkallë të re. Shpresoj që kjo të ndodhë, pasi sistemi brenda të cilit ne funksionojmë e ka të nevojshme si funksionimin normal të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës. Nuk pres të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme, me kolegët e PD shkëmbej dhe batuda humori që do ndodhë kjo apo ajo me 20 shkurt, apo ju kanë ngelur kaq apo aq. Mendoj se publiku është mësuar si me ne kur ishim në opozitë, ashtu dhe me PD që është sërish në opozitë. Janë gjëra të cilat që nëse herën e parë kishin një lloj dramaciteti, tani përsëritja ngjall pak nënqeshje.Mendoj se politika shqiptare ka treguar se nuk vlerësohet vetëm nga ajo që duket, por dhe nga ajo që nuk duket, madje kjo është më e rëndësishme. Shpresoj se me racionalitet mund të gjejmë zgjidhje të përbashkëta, të cilat mund ta ndihmojnë jo vetëm mazhorancën, por dhe opozitën të konfigurojnë një mënyrë të re të të bërit të gjërave në Shqipëri. Është e kuptueshme se ne pa njëri-tjetrin vështirë se mund t’ia dalim, por me njëri-tjetrin kemi treguar dhe dhënë prova, meqë ju më kujtuat dhe pavarësinë e Kosovës, mendoj se do ishte e pamundur që Shqipëria të realizonte historinë e vet më pozitive nëse nuk do të kishte bashkëpunimin midis mazhorancës dhe opozitës. Kemi prodhuar në këto vite shumë shembuj të këqinj, por kemi prodhuar dhe shembuj të mirë që nuk kemi pse i harrojmë duke sharë apo ofenduar vetëveten. 20 shkurti meriton të kujtohet, por pas tij vjen 21, 22, që në një pikëpamje janë më të rëndësishme pasi nuk do të flasim vetëm për opozitën, por për të gjithë shqiptarët. Nga ky kontekst mendoj që ajo që mund të vlerësojmë dhe rivlerësojmë tek vetvetja është bashkëpunimi”u shpreh Majko.Ndërkaq deputeti socialist u shpreh optimist për marrjen e statusit të kandidat në qershor, duke vlerësuar se gjithçka është në dorën tonë.“Nuk besoj se duhet parë në këtë kontekst tanimë. Janë shenjat që nëse ne do dimë ti hedhim hapat në kohën e duhur ashtu siç duhet, gjasat janë që në qershor të kemi një lajm të mirë jo për qeverinë, jo për mazhorancën, por për të gjithë. Këto që po them dikur i kanë thënë dhe kolegët e mi të PD-së kur kanë qenë në qeveri dhe ia vlen ta ripërsëris faktin se ngjarja që presim në qershor nuk është qeveritare, është thellësisht shqiptare”.E ndërsa Komisioni për Çështjet Ligjore shqyrton kërkesën për shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme të ILDKPK, sipas Majkos ky fakt nuk duhet të shihet si fundi i botës nga opozita, pasi në bindjen e tij ata sot kanë akses shumë më të madh institucional, sesa opozita e djeshme.“Nuk besoj. Ne në periudhën që kemi qenë në opozitë kemi pas të drejtën e laj-thaj, zgjedhjen e vetëm të një Avokati të Popullit. Nuk besoj që ne jemi duke ecur në rrugën e njëjtë. Aktualisht sistemi i institucioneve nuk funksionon në mënyrë të njëanshme siç ishte në periudhën të paktën 5 vjeçare. Kemi një strukturë të emëruarish nga PD, duke filluar që nga Presidenca deri në gjyqësor e cila ekuilibron sistemin, nuk dua të them e politizon. Kështu që nuk kemi pse të bëjmë të shqetësuarin për faktin pse komisioni i ligjeve po diskuton një problematikë që ka më një institucion sot, apo nesër me një institucion. Sigurisht që do ketë fërkime të tilla, por nuk besoj që duhet të fillojmë të mendojmë që kjo që po ndodh është fundi i botës dhe nuk ka asgjë përpos 20 shkurtit, do të ishim shumë dritëshkurtër nëso do ta thoshim. Probleme do ketë, por me një optimizëm racional do ketë dhe zgjidhje. Nuk mendoj që opozita po pret që ne ta marrim me të mirë dhe as mazhoranca nuk është duke pritur që opozita ti mbajë ison. Opozita ka të drejtë të flasë jo me zë të lartë, por dhe të ulërasë. Pra fërkimet, jo gjithmonë janë shfaqe të krizës. Nuk duhet të harrojmë që një herë në katër vjet do jemi para “gjyqit” të popullit”.