Furgonët në protestë, reagime nga Ministria e Tranporteve dhe policia

Sindikata e furgonave 8+1 mbajtën një konferencë në Elbasan, kundër masave të marra për ndalimin e tyre. Në qëndrimin e kësaj sindikate u kërkua që të hiqej urdhri që ndalonte furgonat që të ktheheshin pa pasagjerë, duke shtuar se në këtë mënyrë po flaken në rrugë dhjetëra familje.Gjithashtu po në këtë linjë u theksua se nuk do lejohet që Ministrat të bëjnë monopole, duke shtuar se duhet luftuar informaliteti, por jo mjetet e licencuar. Ne pritje te anullimit te urdherit te Ministrit per kthimin bosh, te liçensuarit kerkojne rikthim ne pune pa kufizime dhe luftim të informalitetit.Lidhur me këtë situatë ka pasur reagim nga Ministria e Tranportit dhe policia e shtetit. Zv. ministri i Transporteve, Ylli Manjani, tha se qeveria po kërkon vetëm të zbatohet ligji që ka 14 vite që shkelet. Ai apeloi sindikatat dhe politikanët të mos dalin në mbështetje të informalitetit.“Cilin vendim të qeverisë kërkojnë që të shfuqizojmë? Kjo qeveri nuk ka nxjerrë asnjë vendim që po ndalon taksitë. Qeveria po kërkon vetëm të zbatohet ligji që ka 14 vite që shkelet. Taksitë të punojnë sipas rregullave, për të cilat janë licencuar. Furgonët taksi të transportojnë udhëtarë sipas rregullave. As sindikalistët dhe as politikanët të mos mbështesin informalitetin” ëhstë shprehur ai.Ndërkaq Policia e Shtetit ka sqaruar përmes një deklarate për mediat se në zbatim të detyrimeve ligjore, si dhe në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve dhe disiplinimin e trafikut në territorin e vendit, gjatë këtyre ditëve ka ushtruar kontroll lidhur me respektimin e kërkesave ligjore nga drejtuesit e automjeteve në fushën e transportit publik.“Theksojmë se masat e marra nga strukturat e Policisë Rrugore, përfshirë dhe ato për transportin e udhëtarëve me mjetet 8+1, janë në përputhje të plotë me ligjin.Konkretisht, në nenin 37 të ligjit nr.8308, datë 18.02.1998 “Për Transportet Rrugore”, i ndryshuar, është përcaktuar që transporti i udhëtarëve me taksi në linjë të rregullt është i ndaluar. Po ashtu është përcaktuar, që mjeti taksi, kur kryen shërbim jashtë territorit të rrethit ku është regjistruar, në kthim mund të marrë udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të tij. Për shkelje të kësaj dispozite, Kodi Rrugor (neni 85 pika 3) parashikon përveç masës me gjobë, tërheqje të lejes së qarkullimit dhe konfiskim të mjetit.Sipas nenit 86 pika 6 të Kodit Rrugor, shërbimi në linjë me një mjet që nuk është i caktuar për një shërbim të tillë, siç është rasti me mjetet 8+1, është i ndaluar”.Policia thekson se në bazë të akteve ligjore në fuqi, mjetet për transport udhëtarësh me numër vendesh mbi 8+1, klasifikohen autobusë dhe leja e transportit për autobusë mund t’u lëshohet vetëm enteve publike, sipërmarrësve (shoqëritë e transportit që në aktet e themelimit, kanë objektin e veprimtarisë transportin e udhëtarëve). Këto janë shërbime të licencuara dhe shërbimet e Policisë Rrugore ushtrojnë kontroll të vazhdueshëm mbi zbatimin e kushteve të licencës.“Pamjet filmike dhe një pjesë e mirë e raportimeve nga mediat gjatë këtyre ditëve, duke shfaqur mjete për transport udhëtarësh me numër vendesh mbi 8+1, nuk përfshihen në kategorinë e mjeteve të licencuara si taksi (pra nuk duhet të mbajnë targë të verdhë) dhe i nënshtrohen një tjetër regjimi juridik lidhur me licencimin dhe transportin e udhëtarëve, pavarësisht se nga media cilësohen “furgonë”. Theksojmë se mjetet mbi 8+1 kanë tjetër klasifikim dhe licencohen për transport udhëtarësh, por jo për taksi. Çdo punonjës i Policisë së Shtetit ka për detyrë të përmbushë të gjitha përgjegjësitë e përcaktuara në ligj dhe në këtë kontekst hapat e ndërmarrë për kontrollin e respektimit të kërkesave ligjore sa i përket transportit të udhëtarëve janë në përputhje të plotë me ligjin dhe në respekt të tij. Ligji është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë dhe është detyrë e Policisë të garantojë respektimin tij, pa asnjë dallim” përfundon deklarata.