Projekti “Lungo Mare”, pritet shpallja e projektit fitues, publikimi në 21 Shkurt
Në datën 21 Shkurt, studiot e përzgjedhura do të prezantojnë vizionin e tyre para jurisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Vlorës mbi projektin “Lungo Mare”, që do të shtrihet përgjatë bregdetit jonian. Në të njëjtën ditë pritet të shpallet edhe projekti fitues përmes të cilit synohet shndërrimi i vijës bregdetare të Vlorës në një ndër pikat më tërheqëse të Mesdheut.Nga 45 firma që kanë paraqitur projektet e tyre, vetëm 5 u përzgjodhën nga juria ndërkombëtare. Gjatësia e “Lungo Mares” është 5 km nga Pylli i Sodës tek Plazhi Ranor i Vjetër dhe deri tek Tuneli në Uje të Ftohtë, gjatësi që përshkon 70 % vijën bregdetare e cila administrohet nga Bashkia Vlorë.Projekti i vjetër i hartuar nga ky institucion, tashmë është rrëzuar dhe kapte një vlerë prej 63 milion Euro, ndërsa projekti i ri, i cili ka disa kilometra më tepër, do të kërkojë dyfishin e kostos së parashikuar dikur nga Bashkia e Vlorës. “Lungo Mare”, pritet të përfundojnë në verën e vitit 2015 dhe parashikon zgjerim rruge, rehabilitimin e plotë të shëtitores me një vizion të ri, ku do të përfshihen porti turistik dhe shumë ndërthurje hapsirash dhe relaksi panoramike, gjithnjë për të shijuar detin.Vendimi dhe shpallja e studios fituese pritet të kryhet ditën e premte, ku i pranishëm do të jetë edhe kreu i egzekutivit. Ndërkohë, mbetjet inerte dhe gërmadhat që kanë mbetur pas nga prishjet në vijën bregdetare, aktualisht nuk po i japin një imazh fort të mirë qytetit, i cili pret me mijëra turistë në ditë gjatë sezonit veror. Megjithatë nëse projekti i ri do të shtrihet në gjatësinë e deklaruar, shumë shpejt pritet të ketë prishje të tjera edhe më të mëdha, kryesisht në zonën e Skelës, Portit dhe Plazhit të Vjeter, zona që deri më tani nuk janë prekur nga INUK.