Basha: Vërshim antarësimesh në PD, opozita e vendosur për të mbrojtur demokracinë

“Mazhoranca Rama-Meta po godet pa pushim themelet dhe kolonat e demokracisë, po e shohin demokracinë dhe shtetin ligjor si pengesë që duhet zhbërë e shembur për të realizuar atë që kanë në mendje; shtetin e oligarkisë.”

Kështu ka deklaruar në mbledhjen e grupit kuvendorë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku ftoi qytetarët  në marshimin e protestës për të ngritur sipas tij një barrikadë  vendimtare  kundër  zhbërjes dhe kthimit prapa.

"Rinia dhe gjithë njerëzit e lirë të këtij vendi do të vinë e duhet të vinë të enjten në marshimin e protestës për të ngritur me fuqinë bashkimit dhe me vetëdije të lartë qytetare një barrikadë vendimtare  kundër zhbërjes dhe kthimit prapa, kundër kursit të gabuar të politikës së fjalëve të bukura e gurëve në trastë, që është në fakt politika e korrupsionit të ngritur në sistem. Kur vjen rinia, fiton  e ardhmja. Kur ngrihen njerëzit e lirë, fiton liria", tha kryetari i PD-së Basha.

Opozita është e prerë në vendimin e saj për të mos u bërë pjesë e reformës territoriale. Sipas  kreut të opozitës mazhoranca pret kot, sa për të larë gojën, nëse nuk zgjidhet çështjen e votimit me konsensus të kësaj reforme.

"Edhe po t'i kishin numrat, kjo është reformë që si minimum kërkon konsensus politik me opozitën dhe si optimum konsensusin gjithë përfshirës të qytetarëve shqiptarë. Na presin kot, sa për të larë gojën, nëse nuk zgjidhin çështjen e votimit me konsensus të kësaj reforme shumë të rëndësishme dhe rivendosjen e konsensusit në tërësi. Pa këtë zgjidhje, ne do t'i presim me Kushtetutë në dorë në sheshet dhe rrugët e protestave dhe kundërshtimit të fuqishëm popullor. Duke nisur me marshimin e së enjtes në Tiranë", u shpreh Basha.   

Mazhoranca  mjerisht po tregohet shumë  e vendosur në kursin e armiqësisë me ligjin  dhe Kushtetutën, tha Lulzim Basha, dhe për këtë ai ju referua ligjit të Nënpunësit Civil.

"Duan vetëm një gjë: Të marrin dhe të zhbëjnë administratën publike. Të  bëjnë administratën partiake-klinteliste, në shembullin e asaj që kanë arritur të bëjnë gjatë kësaj periudhe, derisa qenë frenuar, apo për sa kanë qenë të frenuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese; Të  heqin profesionistët", përfundoi kreu i PD-së.