Problemet me transportin ndërqytetas, opozita kërkon në komision ministrin Haxhinasto

Opozita kërkon seancë dëgjimore në lidhje me ndalimin e qarkullimit të furgonëve.Ka qenë deputeti Dashamir Tahiri, i cili ka kërkuar raportim të Ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës ,Edmond Haxhinasto, në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Sipas Tahirit vendimi i qeverisë ka lënë në mëshirë të fatit me qindra familje.“Në Shqipëri ka 20 mijë furgona, pra janë 100 mijë vetë që hanë bukë me to. Ne si grup opozitar do të firmosim një kërkesë ku do të ftojmë ministrin e Transporteve për një dëgjesë në komision dhe mbas asaj do të marrim një vendim për një amendament ku të jetë parësor dhe ku ti mbështesë që furgonat të venë plot dhe të vijnë po plot me pasagjerë. Është e paarsyeshme të shohësh furgona që ikin plot e vijë bosh, kur sot një litër naftë është rreth 2 mijë lekë. As edhe një njeri që do të pastrojë paratë nuk e bën atë.Ne do vazhdojmë përpjekjet, ai ligj është bërë si është bërë është i gabuar”tha Tahiri.1900 biznese të mobilerisë në vendin tonë kanë ngritur një sërë shqetësimesh në seancën e radhës në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.Ata kërkuan njëzëri që të luftohet informaliteti.“Ne përballemi me shumë probleme e shqetësime. Kemi probleme me burokracitë gjatë eksportit dhe importit. Mosrimbursimi i TVSH-së ka rënduar gjendjen tonë. Ka probleme edhe me ndarjen e tenderave, pasi për tenderat e mëdhenj zgjidhet vetëm një prodhues.Tenderat nuk ndahen në bazë të specializimit të kompanisë. Referencat doganore nuk janë në favor të zhvillimit, por element nxitës i korrupsionit” tha Anëtari i Shoqatës së Prodhuesve Mobilierë, Përparim Agimi.Industria e përpunuesve të drurit në Shqipëri është një sektor i rëndsishëm, pasi siguron 50 mijë vende pune. Eksportet nga ky sektor shkojnë në 100 milion euro në vit, ndërsa prodhimi vjetor kap shifrën e 180 milion eurove.