Robert Hand: Klasa politike shqiptare të mos bjerë në vetëkënaqësi

Tranzicioni politik ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, por jo aq sa për ta kaluar në “delir” klasën politike shqiptare. Deklarata vjen nga Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hand, i cili në një intervistë për VOA thekson se duhet më shumë bashkëpunim nga palët për të çuar përpara zhvillimin e vendit.“Mendoj se në përgjithësi zhvillimet kanë qenë pozitive. Tranzicioni ishte shumë i rregullt dhe ky ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Megjithatë duhet të kuptohet se në kontekstin e përgjithshëm, ishte thjesht një hap. Një tranzicion i rregullt duhet të jetë rruga normale për një qeveri demokratike, kështuqë shpresoj që si opozita ashtu edhe pala në pushtet të mos ndjehen të vetëkënaqur dhe të mendojnë se kjo mjafton. Ata duhet të bëjnë hapa përpara për të përballuar sfidat e tjera dhe të bëhen gati për integrimin në Bashkimin Evropian. Desha të them, që javën e kaluar Presidenti (Bujar) Nishani ishte këtu në Uashington dhe mendoj se ai kishte një vlerësim pozitiv për situatën në Shqipëri. Anëtarët e Kongresit vunë në dukje se partia që e emëroi atë për presidencën nuk është më në pushtet dhe ky është një zhvillim i ri për Shqipërinë, është hera e parë që ndodh një gjë e tillë dhe duke pasur parasysh historinë e vështirësive mes partisë në pushtet dhe opozitës ndër vite, ky është një shans për të parë se si mund të funksionojnë gjërat. Ne u inkurajuam që Presidenti Nishani shprehu angazhimin që ai të luajë rolin e vet që gjërat të funksionojnë dhe që të gjitha palët në Shqipëri, qofshin në qeveri ose jo, të tregojnë të njëjtin angazhim dhe të përpiqen ta çojnë vendin përpara, Shpresoj që qeveria të bëjë të njëjtën gjë në mënyrë që të shohim një konsolidim të vërtetë të instiucioneve demokratike në Shqipëri. Vendi ka vërtetë nevojë për një gjë të tillë dhe unë kam shpresë që të ndodhë”thekson Hand.Sipas tij tensionet politike mes dy partive kryesore janë të natyrshme në demokraci, por vlerëson se duhet të ketë angazhim dhe përpjekje për të arritur kompromise për të mirën e vendit.“Kjo që përshkruani ju, ndodh në çdo demokraci. Çështja është nëse del jashtë kontrollit, apo nëse për të siguruar një avantazh politik, njëra palë ose tjetra e frenon përparimin e vendit. Sigurisht që nëse kjo ndodh, do të thotë që po teprohet dhe një gjë të tillë e kemi parë në të kaluarën kur ka pasur bojkote dhe veprime të tjera të ngjashme. Përsa kohë të ketë pjesëmarrje dhe angazhim, le të ketë mosmarrëveshje, por duhet të ketë angazhim dhe përpjekje për të arritur kompromise për të mirën e vendit. Në politikë gjëja më e rëndësishme është që të të njihet merita për atë që bëhet dhe fakti që njëra palë është në pushtet nuk do të thotë që palës që është në opozitë, të mos i njihet merita për kontributin e saj. Në fakt, në vend që të hezitojë, opozita duhet të ndërmarrë veprime për të inkurajuar hapa me një ritëm edhe më të shpejtë. Opozita ka një rol shumë të rëndësishëm në demokraci pra nuk bëhet fjalë vetëm për qeverinë por për gjithë sistemin politik” tha ai.Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit shpreson që Shqipëria të marrë këtë vit datën për bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e ndërsa kërkon nga BE vlerësim korrekt të arritjeve nga vendet që aderojnë për anëtarësim.“Është pak e vështirë për mua ta përcaktoj pasi nuk jam zyrtar i Bashkimit Evropian. Por unë jam i shqetësuar se nga ndjesia e lodhjes me zgjerimin, ose fajësimi i zgjerimit për disa nga problemet e tanishme, vendet që aspirojnë anëtarësimin dhe që kanë marrë hapat që u janë kërkuar për anëtarësim, mund të mos marrin përgjigjen që në fakt e meritojnë. Mendoj se ky do të ishte gabim. Unë nuk jam evropian, kështu që nuk mund të them se çfarë është në interesin e BE-së, apo vendeve anëtare, por mendimi im është se një Evropë më e madhe do të jetë një Evropë më e mirë. Ata kanë marrë angazhim para këtyre vendeve dhe duhet ta çojnë në vend këtë angazhim dhe duhet ta kuptojnë që nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të ketë pasoja. Politika e çdo vendi të BE-së është e ndryshme, diçka me të cilën udhëheqësit e tyre duhet të përballen, por shpresoj shumë që brenda BE-së këtë vit, të bëhet më e qartë që angazhimi i premtuar ndaj Ballkanit, duhet të plotësohet dhe se kur vendet marrin hapat e nevojshëm, këto hapa duhen vlerësuar” deklaroi ai.