Bushati takon Ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit
Gjatë qëndrimit në Doha, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u prit në një takim zyrtar nga Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Dr. Khaled Bin Mohammed Al Attiyah.Gjatë bisedës, palët konfirmuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe nënvizuan se thellimi i bashkëpunimit në fushën ekonomike mbetet prioritet i agjendës dypalëshe.Ministri Bushati vërejti se Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në konsolidimin e marrëdhënieve me Katarin, duke e konsideruar atë partner të sajin. Sa i përket diversifikimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, Ministri Bushati nënvizoi se një qasje koherenente në marrëdhëniet me Katarin do të nxisë rritjen e prezencës së Katarit në Shqipëri dhe rajon në fusha si turizmi dhe infrastruktura turistike, pasuritë e patundshme, energjetika dhe bujqësia.Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Dr. Khaled Bin Mohammed Al Attiyah theksoi rëndësinë që vendi i tij i kushton intensifikimit të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe zhvillimit të tyre në frymën konstruktive të bashkëpunimit.