Tavo apelon sërish për toponimet: E pafalshme situata, Qeveria të gjejë zgjidhje

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, ka përsëritur shqetësimin për çështjen e toponimeve, duke i bërë apel institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për zgjidhjen e saj."Gjithkush nga ne është në dijeni të këtij ngërçi, ku mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi nuk mund jo vetëm të kalojnë kufirin për të parë të afërmit e tyre, por nuk mund të kryejnë asnjë transanksion ligjor derisa shteti grek nuk njeh toponimet me emërtesat e vendit tonë. Kjo situatë është e pafalshme në radhë të parë për ne politikanët që po i lëmë qytetarët tanë të vuajnë, sot, në vitin 2014”, ka deklaruar Tavo.Ai ka theksuar faktin se emërtesat e toponimeve sugjerohen nga komisionet përkatëse të OKB-së dhe rezolutat e Parlamentit Europian, ndërkohë që Tavo i ka bërë thirrje qeverisë të zgjidhë përfundimisht dhe sa më shpejt këtë problem, duke bërë madje edhe paralelizëm me gatishmërinë dhe ndjeshmërinë e vetë ish-kryeminsitrit Berisha për zgjidhjen e kësaj çështjeje.Problemi i toponimeve në pasaporta është shfaqur në Tetor të vitit 2012 dhe nuk ka gjetur zgjidhje pavarësisht disa tratatitave që kanë rezultuar të pasuksesshme.Nga pala greke është lënë 4 herë afat kohor. Afati i fundit ka skaduar në 30 janar, datë kur ka rifilluar kthimi i emigrantëve që kanë probleme me toponimet.