Lundrimi i ndërgjegjes
Atmosfera në botën e bashkëjetesës në grupime e në më pak grupime më ka dhënë privilegjin që në njëfarë mënyre të jem në një temperaturë të favorshme njerëzish me fat. Për këtë shkak të thjeshtë njerëzor nganjëherë kap një ekuilibër që unë e barazoj me një lumturi të kursyer, që dhe për shkak të profesionit nuk është se kërkon shumë për t’u realizuar. Është e nevojshme pasi kjo formë e lumtur ka plot zhurma, rrëfime dhe tinguj. Herë të intonuar dhe në akord dhe herë me tinguj të çakorduar e kontradiktorë. Të jetuarit në një bashkësi (mjedis arti) që në kohërat më të hershme e deri vonë të jep avantazhin që të ndërtohesh në një raport të disafishtë mes asaj që dhuron dhe asaj që pret të të kthehet si bonus mbrapsht. Në banesën e ëndrrave kjo bashkëjetesë herë ndodh fatlume dhe herë e vështirë dhe e përpjekur. Por thënë të vërtetën, pozicioni i kujdestarit (kuratorit) në lidhje me asociimin e artistëve më të rinj është i pakrahasueshëm me shumë nga llojet e tjera të asistimit, me të cilat do mund të realizohesh dhe kryhesh në krye herët e egove që na prijnë e sundojnë të gjithëve pa veçuar askënd. Ka shumë parametra formalë e joformalë që blatojnë e përbashkojnë në një udhëtim këtë raport. Ka një magji të madhe pasi nga hiçi do mund të lindin me dhjetëra reagime arti nga më të pabesueshmet dhe nga më tërheqëset. Nganjëherë destabilizuese dhe për atë që vetë mbjell ëndrrën. Një gjë fantastike të dish të udhërrëfesh dhe të dialogosh me disa pika referimi dhe të asociosh ideime të ëndërrimit. Në fakt dhe për shkak të lëndës, me shumë (multi) baza informacioni dhe vokacionesh kjo materie bëhet e papërmbajtshme dhe në fluturim të fantazisë nga mënyrat më të pabesueshme. Në bazë një artist është një ego e madhe dhe në të shumtë udhëheq individualistë të jashtëzakonshëm. Në fillimet e mia triali frymëzues i zhvendosjes ishte art- art- art, më pas me kalimin e kohës kjo formulë ndryshon dhe hyn në ndarje të reja dashurish dhe magjepsjesh. Nuk është më thjesht art, por më shumë njohje, udhëtim, higjienë e mendjes, kulturë shikimi, përjetime të shumta mediumesh me baza të ndryshme dhe natyrisht dhe dyshim për të vënë në krizë çdo gjë që hyn e re dhe me shpejtësi deklasifikon një qëndrim të mëparshëm. Mekanizma që bëjnë humusin e ri kundrejt ngjizjes të një ndërgjegjeje në lëvizje. Në vijim kemi shpërthime dhe shenja herë të ndërgjegjshme e herë të pandërgjegjshme në të njëjtin kandar vlere dhe logjikimi të saj. Me kalimin e kohës je i ndërvarë nga një fuqi tërheqëse që në bazë të saj ka talentin për ta rilevuar këtë masiv të ndërgjegjes që na sundon. Hapja e gjeografisë së shprehjeve në art dhe mediumet e reja kanë shtysën të panoramohen në një aritmetikë të re klasifikuese. Kushte për të kuptuar e vënë në balancë diskutimin mbi natyrat e shprehjes dhe pse ndodh që në njëfarë forme kemi shkëmbime dhe qasje të përafërta dhe në të shumtë rendje formash për kah natyra e re e sistemeve si forma shprehjesh. E gjitha hap dhe më përshkallëzimin e mungesës së vlerës absolute të një vepre dhe na jep në favor arsye të mjafta për t’u shkëputur nga simptoma të karakterit viral në vepër. Gjithsesi na jep një shkak njohës për t’u zhvendosur me kujdes në një trevë më të afërt identifikuese ku herë është lojë e arsyes dhe e inteligjencës dhe herë një paracaktim intuitiv e mjaft me instinkt të përafërt me shkaqe të fshehta që e rrethojnë këtë vorbull të pashpjeguar si identitet. Shqipëria në perceptimin e sotëm nuk se është më një kuriozitet gjeografik apo në rastin më emergjent favorizues tregjesh apo një shkak për t’u eksituar vetëm nga turizmi, por dhe një realitet kulturor që përfshirë kaosin e gatshëm që na rrethon bën herazi më të padukshme e të pozuar realisht realitetin e saj kulturor. Shqipëria është me bindje në një kaladë territori ku ka zëra të ndryshëm dhe në vija të trasha paksa minore prirje dhe tendenca që e lexojnë atë si kontribute dhe si shenja profili interesant, me lidhje të nëndheshme e të mpleksura që ka ndërlidhje me një territor dhe më të gjerë mbijetese. Ky territor kulturor ka ngjyrimet e diferencës nga optika të ndryshme qëndrimesh si një natyralitet i qenies njerëzore. Konflikte dhe grupime që rrinë të përafërta si sindromë arti në shije dhe ADN-të e tyre. Një pranim apriori ku ka korrente dhe grupime pikëpamjesh në pluralitet të natyrshëm e konkurrues anuar filozofisë, pasqyrimit, historisë dhe në të shumtë mbivendosjeve të kulturave. Në njëfarë mënyre si në çdo formacion, pushtetet kanë më afër të privilegjuarit apo preferencialët me të cilët ndërtojnë make-up-in propagandistik të tyre. Ekzistojnë dhe grupe që vitalizojnë qëndrimin e tyre përmes praktikës dhe platformave krijuese dhe shtrihen për shkak të mbijetesës dhe të konsolidimit të ideve të tyre në anderground. Askush që ka një kulturë elementare nuk duhet ta vërë në dyshim këtë raport force mes të resë dhe asaj që me ngadalë fillon të shndërrohet në histori. Ky është një mësim që na e delegon historia dhe për këtë arsye me dashje a jo nuk do jemi në gjendje të prodhojmë një status-quo -vendqëndrim për të ndaluar thirrje, vokacione të veçanta, dhe zëra të rrjedhshëm që sjell natyrshëm koha.Pikërisht në këtë kakofoni marrëdhëniesh të ndërsjella vërejmë e shikojmë që nën pemën e jetës ka gjallim dhe jo çdo gjë ndjehet e shuar. Po të qe aq perfekt sa çdo të dëshironim, çdo gjë do shkonte vaj dhe nuk do kishim asnjë befasi që të dhuron talenti dhe natyra njerëzore.Për këtë shkak ngacmues do desha të sjell në vëmendje të publikut një autor relativisht i ri, mjaft interesant, debatues në blogje dhe në shtypin periodik por dhe në një kontribut të vëmendshëm në jetën publike dhe në media. Edison Çeraj! Artist me një profil interesant. Hapësira ku ngre njollën e tij të provokimit janë idetë, filozofia, etika, debati. Një territor që për një shikues të informuar besoj se do jetë i lakmueshëm. Çfarë solli në publik ekspozita e tij disa javë më parë? Shumë paralele në koncepte me çka sot është e debatueshme hapësira mbi thelbin në art. Thelbi i këtij eventi ka një kontrapeshë disi të ndryshme me shumë nga ekspozitat që rendin sot në territorin tonë. Vepra fillon aty ku fillon të lëvizë ndërgjegjja e spektatorit. Në këtë fabul interaktive çlirohet një tjetër energji e grupuar dhe e ndërsjellë që realizon qëllimin e artistit. Në mos do zgjidhnim për arsye zgjedhjeje në vend të “Lëndë me zgjedhje”, do gjendeshim pa dashur të nënshtruar e kapur gafil nga vetë “Lundrimi i ndërgjegjes” që noton më gjatë dhe përjashta mureve të eventit.“New Dada”? “Konceptual”? “Art në proces”? Gjithçka për t’u parë e marrë në analizë. Por një gjë tingëllon në aksionin që ai kryen qartë dhe e bën pjesë të debatit që ai hap. E zhvendos veprën e artit apo qendrën e saj në mes pretekstit (formës provokuese me elemente intermediatike) dhe udhëtimit të shikuesit (si realitet kulturor) të tij si pjesë e aksionit ndikues të veprës. Ose si bashkudhë e përbashkët me një shkak provokues.Përmbajtja e tij tashmë (ose prezenca e tij se në të shumtë më shumë se vepër kemi mungesën e saj duke na mbarsur me forma reagimi) është shpesh vepra e tij. Nuk është se janë shenja të drejtpërdrejta që kanë të bëjnë me ndërtime mediumesh të traditës tashmë, apo ndërton pastër kontekstin jashtë vizual ku përmbajtja e mendimit bëhet pjesë e një udhëtimi të hapur për atë që konsumon sot një vepër arti. Një tendencë e qartë për të vënë në lëvizje një dimension të vetëdijes dhe të pavetëdijes, siç shprehet autori për të ngritur një dimension të përjetuarit të pretekstit të artit bashkë me shikuesin.Çelësi magjik apo përmasa e heshtur e veprës së artit në këtë rast është predispozita për t’u futur në marrëdhënie me udhëtimin e kryer të artistit një dimension i ri tashmë dhe i njohur në hapësirën e shprehjes së artit.Që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar janë të qarta lëvizjet për prishjen e kufijve tradicionale të shprehjes. Nga një qëndrim soditës dhe pritshmëri të kënaqësisë në një shqetësim të ri të ndërgjegjes dhe në zhvendosjen jashtë traditës dhe shpesh të radikalizuar me traditën. Periudhë ku i gjithë derivati i dialogut artistik pati ulje-ngritje dhe ndarje të mëdha në format e saja të shfaqjes. Nga nënndarjet e lëvizjeve të artit modern deri tek ajo traditë e re reaguese që shfaqet sot si hapësirë e mëpasme pasmoderne. Dhe në këtë dialog të hapur riatashohen qëndrime nga më impresionuese në favor të rishprehjes dhe mundësive të reja identifikuese në pikëpyetjen e madhe se çfarë do të duhet të jetë një vepër arti. Formë të jetuari? Akt krijues? Identifikim përmes kulturës? Formë e shenjtëruar e prekjes? Kundërshti e radikalizuar pa të kaluarën? Formë e pastër (kulluar)? Multiplikim mediumesh? Formë e ndryshme e tregimit? Dhe shumë pikëpyetje të ngritura që mbajnë pezull konsumatorin dhe elitat e artit sot të dukshëm e të padukshëm qofshin. Sot kemi në analizë pikërisht një pjesë të debatit kulturor. Strukturuar në një platformë pikëpyetjesh kur artisti është i zhvendosur nga vepra e tij. Do të thotë që forma e tij identifikuese është koncepti si udhëtim i ndërgjegjes së tij. Provokimi i tij interesant dhe i freskët në radhën e pozimit të tij me publikun u zbulua herët më parë në një punë që e quajti “Unë jam peizazhi” dhe “Tri tradhtitë”, me një vendosje të zhveshur nga vendosjet e traditës te një peizazhi krejt të thjeshtë ku në pamje të parë të çudit se si dy masa të shproporcionuara ngjyrosin në një formë të mbyllur dhe krejt subjektive e të personalizuar një telajo. Punë mbi të cilën je i lirë të ndërtosh me dhjetëra hamendje krahasimi dhe rrugësh për ta identifikuar dhe arsyen se pse e ka mbiquajtur të tillë. Dhe më vonë në ekspozitën vetjake te “Tri tradhtitë”, një material i Gëtes shkëputur nga Fausti, autori e sjell të përkthyer nga tre autorë: Sejfulla Malëshova, Ndre Mjeda dhe Jorgo Bllaci, poezia titullohet “Mbreti i Tulës.” Në këto tri eseca poetike ka një akt tradhtie nga autorët pasi forma e përkthimit është e ndryshme në ngjyrime. Autori pohon se vetëm origjinali është vlera e vërtetë e një poezie, të tjerat janë forma asociative e ngjyrore në formën e interpretit përmes përkthimit. Ose një qëndrim tjetër i autorit me një njësi të shprehjes siç është telajoja ku pikturohet. Në një kundërpërgjigje të tij dalim përballë pohimit se: Sa më shumë të flas mbi punën, aq më shumë dekonspiroj qëllimin- vepër që shihni. Marrëdhënia e shikuesit me veprën në njëfarë mënyre për autorin është dhe qëllimi i veprës së tij apo mos të themi vetë arti si komunikim. Të tjera provokacione të ëmbla arti ndoqëm në expon të ndërtuara prej tij në hapësirën e FAB galeri si “Figurë publike”, “Tri tradhti”, “Lëndë me zgjedhje”, “Liria e fjalës”.Ku në lidhje aktive do mund të gjendemi në kurthin e të menduarit mbi kulturën e zbulimit, të një udhëtimi të ndërgjegjes së artistit. Ku vetë ai na paralajmëron se në fundin e këtij “lundrimi të ndërgjegjes” do të mund të arkivojmë në ndërgjegjen tonë një formë të pazbuluar e të re të identifikimit tonë. Nuk është e lehtë të udhëtosh me Edison Çerajn, por do dashuri dhe vëmendje për të ndjekur rrokullisjen e butë dhe shpesh ironike të tij në një përpjekje që nuk se ndalon për të ngasur të tashmen. Më sjell në kujtesë Joseph Beuys që kthen përmbys konceptin për në gjysmën e parë të shekullit XX dhe thotë se: “Arti nuk se është më një koncept muzeal, por tërësisht njerëzor, është një koncept i ‘të ekzistuarit në botë’ duke marrë pjesë aktivisht, vepruar me kreativitet dhe duke mos e vizatuar së jashtmi atë”. Edison Çeraj di të zhvendoset nga vepra e tij në momentin që ajo bëhet pjesë aktive e të menduarit të konsumuesit të veprës së tij dhe këtë e bën me elegancë e finesë dhe kulturë të admirueshme. Kjo dalje personale e Edison Çerajt mendoj se është një vijim i natyrshëm i tij për të bërë të dukshëm sa vjen dhe në rritje të një profili të ri në dialogun e brishtë të artit sot dhe një tendencë e qartë e një përpjekjeje të vërtetë e të hapur me publikun që ai do të kontaktojë. /Burimi: mapo.al/