Rama inspekton punimet në rrugën Milot-Lezhë: Të plotësohet me sinjalistikë
Kryeministri, Edi Rama, inspektoi mesditën e sotme punimet në rrugën Milot-Lezhë. Investimi prej afro 380 milion lekësh i Autoritetit Rrugor shqiptar përfshin riveshjen dhe sistemimin me asfalt të këtij segmenti të rëndësishëm rrugor.Kryeministri u takua e bisedoi me punonjës dhe drejtues të punimeve, prej të cilëve kërkoi angazhimin maksimal për të përfunduar sa më parë dhe me cilësi këtë vepër. Kryeministri vuri theksin tek rëndësia e pajisjes me sinjalistikën rrugore përkatëse, pa të cilën, çdo projekt rrugor, do të kthehej në burim aksidentesh për qytetarët dhe mjetet.“E para, patjetër duhet ta plotësojmë me sinjalistikë. Një projekt i bërë pa sinjalistikë është: ‘Shtro asfalt për aksidente’. Ta plotësojmë me sinjalistikë urgjentisht. Ndërkohë me kryetarin bashkisë të bëjmë një projekt që aty ku është e mundur të fillojmë të vendosim gjelbërim. Pastaj të shikojmë të gjithë këto ndërhyrjet anësore, të fillojmë t’i reduktojmë aty ku është e mundur dhe ka plot mundësi të reduktohen dhe të disiplinohen. Këto uniformat, mos i mbani vetëm për vizitat e Ministrit dhe të Kryeministrit. Këto kaskat nxirrini përditë e përnatë, siç e keni orarin e punimeve. Ne duam punën”, u shpreh Kryeministri.Në këtë inspektim, Kryeministri Rama shoqërohej nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto.Për të përmirësuar shtresat e dëmtuara, projekti për këtë aks rrugor parashikon ndërhyrjet në shtresat asfaltike duke filluar nga fundi segmentit të rikonstruktuar Thumanë – Kryqëzim Milot deri në rreth rrotullimin e qytetit të Lezhës.