Bosnja-Hercegovina: Tregtoni mishin tonë, do promovojmë fruta-perimet shqiptare

Shqipëria ka gjetur një treg të ri për shitjen e fruta-perimeve, por me kusht që edhe ne ti japim përparësi prodhimit të mishit të Bosnje-Hercegovinës.Në një takim me homologun, Jerko Lijanoviç, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaroi se Shqipëria do të eksportojë fruta dhe perime duke qenë se Bosnje -Hercegovina nuk ka prodhim të këtyre produkteve.“Dy ishin objektet kryesore të diskutimeve që unë pata me ministrin. Problemi i parë ishte se ne duhet të përpiqemi me vendosmëri për të hequr çdo pengesë, çdo barrierë të panevojshme në shkëmbimin e mallrave bujqësore midis dy vendeve. Ne folëm në mënyrë specifike për mënyrën se si të dy vendet duhet të punojnë për t’i hequr këto barriera, në mënyrë që prodhimet e të dy vendeve të jenë të pranishme në tregjet respective. Problemi i dytë që diskutova me homologun boshnjak ishte lidhur edhe me eksportet shqiptare në tregjet e Bosnje-Hercegovinës, dhe bëhet fjalë kryesisht për eksportet e perimeve, frutave, për të cilat ne kemi avantazhe të krahasuara dhe konkuruese. Arsyeja pse ministri vjen sëbashku me një grup biznesmenësh është edhe tregues i interesit në rritje të bizneseve të Bosnje-Hercegovinës për të importuar sasira të konsiderueshme të perimeve të freskëta dhe të frutave nga Shqipëria. Me të përfunduar këtë vizitë zyrtare, së bashku me ministrin, ne do të shkojmë në zonat ku këto perime dhe fruta prodhohen me shumicë dhe atje do të takohemi edhe me biznesmenë lokalë, ku biznesmenët e Bosnje-Hercegovinës do të kenë rastin edhe për të diskutuar për lidhjen e kontratave, për furnizimin e tregut të Bosnje-Hercegovinës me perime shqiptare. Nga ana tjetër, Bosnja zotëron avantazhe krahasuese dhe konkuruese me ne për eksportin e prodhimeve të mishit dhe në këtë mes ja ku jemi, të dy vende që i shfrytëzojnë këto dy potenciale në mënyrën më racionale. Sfida jonë është ajo që unë pak më përpara ia përmenda ministrit, që të krijojmë një treg të përbashkët rajonal dhe në këtë mënyrë kontribuojmë në përmirësimin e bilanceve tregtare negative që dy vendet kanë në fushën e prodhimeve bujqësore” u shpreh Panariti.Ministri boshnjak nga ana tjetër kërkoi që të mos diskrimonehet mishi që ata prodhojnë.“Synimi ynë është që të importojmë produkte me përparësi për Shqipërinë si frutat dhe perimet.Ndërsa nga ana tjetër kërkojmë që Shqipëria të marr mishin që ne prodhojmë, pasi ne jemi një vend blegtoral. Edhe pse jemi afër, ne nuk kemi pasur shkëmbime tregtare. Ne do të mbështesim prodhimin tuaj në tregjet tona, por duam që të mos diskriminoni dhe ju prodhimin tonë” u shpreh ai.Shqipëria i ka dhënë përparësi prodhimit vendas dhe pikërisht për këtë është vendosur një çmim reference për mishin e vendeve të rajonit, në mënyrë që të mos dëmtohen prodhuesit shqiptar.