400-vjetori i Tiranës, Vorpsi-Bashkisë: Të zhvendoset shtatorja e Sulejman Pashë Bargjinit

Prefekti i Qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, i është drejtuar ditën e sotme Bashkisë së Tiranës me një letër, përmes së cilës propozohet zhvendosja e shtatores së Sulejman Pashë Bargjinit në një vend më të favorshëm.Sipas Prefektit Sadi Vorpsi, zhvendosja e shtatores nga lulishtja pranë “Partizanit të Panjohur”, në fillim të Rrugës së Barrikadave do të bënte të mundur një ekspozim më të mirë të themeluesit të Tiranës, duke e bërë më të dukshme për qytetarët si dhe duke e nderuar kështu figurën historike të Sulejman Pashë Bargjinit.“Zhvendosja e shtatores së Sulejman Pashë Bargjinit synon që figura e tij të jetë më e konsiderueshme dhe më e nderuar” – theksohet në propozimin e dërguar pranë Bashkisë Tiranë.Përmes kësaj letre, Prefekti i Qarkut Tiranë ka kërkuar që propozimi për zhvendosjen e Sulejman Pashë Bargjinit të hyjë në rendin e ditës, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.“Sa më sipër, do të vlerësonim përcaktimin e propozimit tonë në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak Tiranë, si një faktor domethënës i bashkëpunimit mes institucioneve tona” – theksohet në letër.Propozimi i cili i është drejtuar kreut të Bashkisë së Tiranës si dhe kreut të Këshillit Bashkiak pranë këtij institucioni, vjen në kuadër të 400-vjetorit të themelimit të qytetit.Sulejman Pashë Bargjini njihet si themelues i Tiranës, punimet për ndërtimin e së cilës nisën në vitin 1614.