LSI "ndërmjetëson" zgjidhjen: Takim liderash për reformën e territorit
Kreu i grupit kuvendor të LSI, Petrit Vasili i ka bërë thirrje opozitës të bashkëpunojë për reformën administrative-territoriale. Në një konferencë për shtyp, Vasili u shpreh se kjo reformë është një problem i rëndësishëm dhe kyç për vendin.“Ne e kemi pasur shqetësim të madh si grup, sepse konstatojmë që në përgjithësi politika, në mënyrë te veçantë opozita shqiptare, duke u bunkerizuar në pozicione të paarsyeshme nuk po kontribuon për të ecur përpara kjo nismë kyç për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve shqiptarë, por po ngec në disa takticizma të panevojshme dhe tërësisht jashtë sensit logjik në të cilin ajo vetë ka ecur në promovimin e kësaj reforme. Aktualisht kemi një komision të reformës të miratuar nga parlamenti, komision bipartizan dhe që garanton dhe atë që ka qenë një preokupacion i madh i opozitës, veton e saj, sepse funksionimi i tij me numër të barabartë anëtarësh dhe me shumicë për të marrë vendime e bën një komision ku kontrolli dhe balanca e opozitës dhe mazhorancës në raport me njëra-tjetrën janë tërësisht të garantuara, ndonëse siç dihet ky komision nuk ka pasur parasysh përbërjen e parlamentit dhe numrat brenda parlamentit, por ka pasur logjikën e mirëkuptimit dhe konsensusit.Mendojmë që duke pasur një dakordësi parimore të gjithë së bashku për këtë çështje do të ishte shumë më e mirë nga opozita, e cila në vend që të ndizte një luftë, të ndërtonim së bashku një platformë mirëkuptimi dhe konsensusi ku të gjitha forcat dhe liderët politikë të pakompleksuar mund të takohen me njëri-tjetrin, mund të diskutojmë dhe të gjejmë dakordësitë e duhura në mënyrë që kjo çështje të mos humbasë më asnjë minutë kohë të çmuar.Qytetarët shqiptarë edhe në momentin që ne flasim janë shpeshherë të bezdisur edhe të zemëruar, sepse qindra shërbime, mjaft projekte dhe mjaft nisma të tjera bëhen të pamundura për arsye të këtij copëtimi atipik shumë të rrezikshëm territorial, madje na kanë bërë shpeshherë të jemi mbrapa fqinjëve tanë, ndaj kjo çështje kërkon përgjigje të shpejta. Kështu që edhe në emër të grupit parlamentar i LSI-së, nga konsultimi i përgjithshëm që kemi bërë në grup, rinovojmë edhe një herë kërkesën apo inkurajojmë promovojmë që opozita të bëhet pjesë aktive, sepse në këtë rast ndryshe nga çdo herë tjetër kemi të bëjmë me një reformë që nuk është pronë, nuk është meritë dhe nuk do të jetë asnjëherë në favor të partive politike, por është një reformë që shkon drejtpërdrejtë në favor qytetarëve shqiptarë.Ndaj mendoj që edhe seanca e ardhshme e parlamentit është një mundësi e mirë për të depozituar të gjitha propozimet që komisioni të nisë sa më parë punën, ndërkohë që tetë propozimet e mazhorancës janë bërë tashmë publike dhe tetë propozimet e opozitës janë të mirëpritura në mënyrë që me intensitet të lartë të ndërmarrim atë që nuk ka ndodhur për 23 vjet, por të cilën e presim me padurim” tha Vasili.Gjithashtu, kreu i grupit kuvendor, Vasili është pyetur edhe në lidhje me kërkesën e LSI-së për rivendosjen e një rruge në kryeqytet me emrin 'Dëshmorët e 4 shkurtit'.“Pikërisht sot është një ditë e veçantë, të cilën ne patëm mundësi ta përkujtojmë me një aktivitet të shkëlqyer. Është dita e përkujtimit të martirëve të 4 shkurtit dhe propozimi ynë ka qenë i qartë dhe shumë konstruktiv. Simboli i 4 shkurtit nuk ekziston më në Tiranë për shkak të një propozimi dhe një miratimi të njëanshëm dikur nga shumica e djathtë. Grupi i LSI-së në Këshillin Bashkiak ka propozuar që një rruge në Tiranë t’i vihet emri “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Pra, nuk kemi kërkuar heqjen e emrin e rrugës që sot quhet “Ibrahim Rugova” por kemi kërkuar që të nderohet dhe të respektohet simboli i Ibrahim Rugovës, por të nderohet dhe të respektohet në maksimum edhe simboli që 4 shkurti ngërthen. Pra, të gjendet një zgjidhje që një rruge dinjitoze në Tiranë t’i vihet edhe emri “Dëshmorët e 4 shkurtit” dhe bashkë me këtë siç e dini ne kemi propozuar edhe ngritjen e një memoriali në një vend ku Këshilli Bashkiak me dakordësi të përgjithshme, ku ne jemi të bindur, sepse nuk gjejmë arsye që kundër kësaj simbolike të jenë edhe anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak, dhe të gjithë së bashku të gjejmë një zgjidhje tjetër. Është koha që simbolet të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën dhe jo të përjashtojnë njëra-tjetrën. Pra të kemi dhe të respektojmë emrin, kujtimin, veprën e Ibrahim Rugovës dhe ndërkohë të gjejmë zgjidhjen ashtu sikurse ka mundësi pa fund Tirana për të vënë në vendin e duhur edhe Dëshmorët e 4 shkurtit” ka theksuar Vasili.