80 pemë të reja i shtohen Tiranës, Bozdo: Tirana e gjelbër, prioriteti ynë!
Bashkia e Tiranës, ka mbjellë sot 80 drurë dekorativë, përkatësisht 50 panja amerikane dhe 30 albicia. Pemët janë mbjellë në dy prej rrugëve të kryeqytetit ku mungonte gjelbërimi.Vetëm në këtë sezon, Bashkia e Tiranës ka mbjellë rreth 3000 bimësi dekorative. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo tha se në një hark kohor prej afro 2 vitesh e gjysmë janë mbjellë rreth 16 mijë pemë e bimësi dekorative.“Sot kemi mbjellë 80 pemë dekorative në dy rrugë kryesore që drejtojnë në qendër të Tiranës. Është një sinjal i mirë por edhe një provë e këmbënguljes së Bashkisë, standardit të saj të lartë për të gjelbëruar çdo rrugë të Tiranës, për të rritur hapësirat e gjelbra. Me mbjelljen e pemëve sot, ne kemi mbjellë këtë sezon rreth 3000 bimë, pemë dekorative në qytetin e Tiranës dhe në afërsisht në dy vite e gjysmë të administratës së Bashkisë, rreth 16 mijë pemë e bimë dekorative. Është përqasja jonë e tillë, për të rritur hapësirat e gjelbra, për t’i shtuar këto hapësira atje ku ato ndihmuar dhe përmes rikualifikimit urban, ne i kemi shtuar sipërfaqe shtesë Tiranës, afërsisht 27 mijë metra katrorë gjelbërim” deklaroi Bozdo.