"4 shkurti" përplas "miqtë" LSI-PD, Meta i kërkon Bashës rrugën e "Rugovës"
70-vjetori i masakrës së 4 shkurtit ka përplasur politikën shqiptare. Jo për rolin historik të ngjarjes, por për rrugën që deri para pak kohësh mbante emrin në përkujtim të kësaj ngjarje. Kreu i Kuvendit dhe i LSI Ilir Meta apeloi institucionet lokale të Tiranës që të rikthejnë “Dëshmorët e 4 shkurtit” në vend të “Ibrahim Rugovës” që qëndron aktualisht në pllakatën emëruese.“Ne sot ndiejmë keqardhje akte të pafalshme që kanë ndodhur siç edhe heqja e emrit të rrugës Dëshmorët e 5 shkurtit dhe është momenti për të bërë një rivlerësim, për të vendsour drejtësinë. Ndaj dhe shpreh kënaqësinë që sot ndodhet këtu edhe prefekti Vorpsi dhe kreu i këshillit bashkiak Dalipi dhe shpresojmë që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje, të kemi një memorial ku të jenë shkruar emrat e 84 martirëve të 4 shkurtit. Ndaj është koha për të rivlerësuar edhe monumentin e 5 heronjëve të Vigut që në mënyrë të padrejtë u largua nga qendra e qytetit të Shkodrës” tha Meta.Meta është mbështetur në këtë nismë edhe në aspektin historik, nga profesori Paskal Milo.“Ka rrugë qendrore të tjera Tirana që të meritojnë emrin e 4 Shkurtit. Edhe një obelisk, simbol tjetër i gjallë dhe i prekshëm për dëshmorët e 4 Shkurtit. Ishin 84 njerëz që ishin martirë, dëshmorë, jo viktima. Të gjithë bashkë si ekip që duam të mbrojmë historinë tonë kombëtare, të qëndrojmë kështu për tërë vitin, të mbrojmë një thesar të madh të traditës sonë kombëtare, që për jetë të jetëve do të mbetet i tillë”, u shpreh Milo.Kjo ka sjellë menjëherë reagim nga e djathta në Këshillin bashkiak, që në fakt pak kohë më parë sëbashku me LSI ia kishte dhënë Ibrahim Rugovës këtë rrugë.“Deklarimi i sotshëm i kreut të LSI, lidhur me heqjen e mundshme të emrit “Ibrahim Rugova” nga një rrugë kryesore e Tiranës dhe për rivendosjen e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, më duket një hipokrizi e pastër, një demagogji dhe papërgjegjshmëri. Për histori, kur është vendosur emri “Ibrahim Rugova”, edhe këshilltarët e LSI, ndoshta të gjithë këshilltarët kanë votuar pro këtij veprimi dhe kësaj iniciative të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për t’i vendosur një prej rrugëve kryesore të Tiranës, emrin e personalitetit të shqiptarëve të kohëve moderne, Ibrahim Rugova, emër që i bën nder kujtdo dhe për “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, me mirëkuptimin e të gjitha palëve u la që do i vihej një rruge tjetër. Besoj se e kanë thënë edhe të tjerët.Të pretendosh sot që të heqësh emrin e Ibrahim Rugovës, do të thotë që të bësh një tentativë të pastër për përçarje të shqiptarëve, për bipolarizim të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Mua më duket një gabim i pafalshëm, një demagogji dhe papërgjegjshmëri e pastër” është shprehur Poni.Ky është konflikti i parë direkt PD-LSI që pas 23 prillit kur rrugët e tyre u ndanë politikisht. Një debat vlersimi historik që zbret në rrugën e njohur të Tiranës si një përballje politike.